PD kundër buxhetit të Bashkisë: Nuk pasqyron interesat e qytetarëve
Partia Demokratike ka kundërshtuar buxhetin e bashkisë së Tiranës për vitin 2021. Përmes një deklarate për mediat, ish-deputetja Jorida Tabaku shprehet se ky buxhet, i cili pritet të miratohet këto ditë, është kundër interesit të qytetarëve.
“Buxheti 2021 i Bashkisë së Tiranës nuk zgjidh asnjë nga problemet e përditshmërisë së qytetarëve. Nuk krijon vende pune përmes investimeve, por rrit numrin e punësuarve partiakë në administratën e bashkisë, që paguhen me taksat e qytetarëve të Tiranës.
Buxheti që Erion Veliaj pritet të miratojë këto ditë nuk merr në konsideratë asnjë ndihmë për bizneset e vogla, megjithëse shumica e bizneseve të goditura nga pandemia janë në Tiranë.
Në të kundërtën e ndihmës, Kryetari i Bashkisë së Tiranës ka parashikuar të shtrydhë edhe më tej bizneset dhe qytetarët, të cilët do të paguajnë më shumë se këtë vit rreth 21 milionë euro taksë mbi ndërtesën.Të gjithë do të paguajmë më shumë edhe për pastrimin e qytetit. Janë 17 milionë euro më shumë për taksën e pastrimit, por këto nuk do të shkojnë që të kemi një qytet më të pastër jo vetëm në qendrën e tij. Erion Veliaj do t’i çojë paratë në llogarinë e incineratorit të Tiranës. Tirana e shekullit të 21, as me këtë buxhet nuk do të mbajë premtimin për 24 orë ujë të pijshëm, megjithëse në këto 5 vjet, Erion Veliaj ka rritur çmimin e ujit”, tha Tabaku.
Sorry, the comment form is closed at this time.