PD e Shkodrës: Policia po operon kundër anëtarëve dhe militantëve demokratë

Dega e Partisë Demokratike e qytetit të Shkodrës, nëpërmjet një deklarate ka shprehur shqetësimin se nga ana e policisë, po ushtrohet dhunë dhe presion ndaj aktivistëve dhe simpatizantëve të kësaj force politike.
“Jemi sot këtu për të denoncuar një përpjekje të paligjshme të Policisë së Shkodrës, për të manipuluar opinionin publik dhe për të sulmuar politikisht drejtuesit e Partisë Demokratike, Dega Shkodër. Dje jeni njohur me disa akuza të rreme kundër drejtuesve të Partisë Demokratike, të urdhëruara nga kundërshtarët tanë politik, Ilir Beqja dhe Taulant Balla dhe të ekzekutuara nga një komisar politik policie si Niko Brahimaj. Është fakt i njohur botërisht se nën drejtimin e militantëve të Partisë Socialiste, sot policia e Shkodrës është shndërruar në një organizatë që bashkëpunon me bandit dhe lufton qytetarët e ndershëm.
Për shkak të këtyre militantëve që drejtojnë Policinë e Shkodrës, qytetarët dhe bizneset e Shkodrës janë të pambrojtur përballë dhunës së bandave, me të cilët Edi Rama qeveris në çdo zyrë të shtetit dhe me të cilët Policia e Shtetit bashkëpunon çdo ditë.
Policia e shtetit duhet të udhëhiqet nga ligji dhe jo urdhërat politikë. Policia e Shtetit duhet të ruajë rendin dhe qetësinë publike, jo të promovojë akuza politike që nuk adresojnë shqetësimet e qytetarëve.Policia e Shtetit duhet të luftojë bandat dhe krimin e organizuar, jo të shpallë armiq të partisë, drejtues dhe anëtarë të Partisë Demokratike apo familjarë të tyre, të mirënjohur për kontributin 30-vjeçar në promovimin e lirive dhe të drejtave njerëzore.
Partia Demokratike, dega Shkodër dënon veprimet e paligjshme të Policisë së Shkodrës dhe është duke identifikuar çdo punonjës policie, nga Niko Brahimaj tek punonjësi më i thjeshtë që në vend të ligjit, operojnë me statusin e Partisë Socialiste kundër drejtuesve dhe simpatizantëve të Partisë Demokratike.
Duam të bëjmë të qartë sot, se kushdo, do të përgjigjet për çdo paligjshmëri të kryer në detyrë. Askush nuk do të tolerohet. Askush nuk do të falet.
Partia Demokratike dega Shkodër, i bën thirrje organit të prokurorisë që të veprojë menjëherë për të ndaluar veprimtarinë politike të policisë së shtetit ndaj drejtuesve dhe anëtarëve të Partisë Demokratike, të zbatojë ligjin dhe të veprojë me paanësi ndaj kujtdo që shkel ligjin.
Gjejmë rastin të apelojmë për një hetim të shpejtë dhe të gjithanshëm, mbi ato që lejuan me dashje, që një proteste paqësore e thirrur nga të rinjtë në rrjetet sociale, degradoi në akte dhune nën hundën e policisë së Shtetit. Drejtuesit, anëtarët dhe simpatizantët e Partisë Demokratike, as nuk intimidohen dhe as nuk tërhiqen nga misioni i tyre për mbrojtjen dhe shtetin ligjor.Ne kemi bërë dhe bëjmë të qartë, se dënojmë çdo akt dhune, por nga ana tjetër askush nuk mund ti mohojë qytetarëve të drejtën Kushtetuese për të protestuar kundër padrejtësive, paqësisht dhe pa tejkalime”, theksohet në deklaratë.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.