PD denoncon: Në zonën ‘5 Maji’, nga 12 godinat që do të ngrihen, 5 do shërbejnë për zyra të qeverisë
Në një kohë që zona “5 maji” në kryeqytet është kthyer një kantier ndërtimi, për të rindërtuar një lagje të re ku do të sistemohen një pjesë e familjeve, shtëpitë e të cilave u dëmtuan rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, Partia Demokratike ka denoncuar se 5 nga 12 godinat që do ngrihen aty, do shërbejnë si zyra për qeverinë dhe bashkinë.
Në një deklaratë për mediat, ish-deputetja e PD-së, Jorida Tabaku tha se, “fatkeqësia që goditi këtë zonë të Tiranës një vit më parë, po përdoret nga qeveria qendrore dhe natyrisht ajo lokale për të gllabëruar pronën e qytetarëve në interesa personale dhe të jashtëligjshme të qeverisë”.
Sipas Tabakut, “në zonën ‘5 Maji’ do të ndërtohen 12 godina me vlerë 52 milion euro; godina të cilat duhet t’u përkisnin banorëve të dëmtuar nga tërmeti. Por nuk do të ndodhë aspak kështu, sepse fondet e rindërtimit, paratë e taksapaguesve shqiptarë do të shkojnë për një qëllim tinëzar, i cili ushqen me luks pushtetarë dhe qeveritarë të paskrupuj. Në këtë zonë, që duhet t’u përkiste qytetarëve, qeveria po nxjerr jashtë banorët për t’i dhënë vetes luksin që me paratë që duhet të shkojnë në ndihmë të ndërtimit të banesave të qytetarëve të përfitojë ajo për luskin personal”.
Tabaku ka publikuar një dokument, ku thotë se shihet “firma e kryebetonierit të Tiranës, Erion Veliajt, nga 12 godina që ndërtohen me fondet e rindërtimit (pra nga taksat tona të rritura) 5 prej tyre do të rrëmbehen nga qeveria”.
Sorry, the comment form is closed at this time.