Partia Demokratike kërkon hetime për vrasjen e të riut në Tiranë
Partia Demokratike akuzon qeverinë se ka frymëzuar policinë për vrasjen e të riut në Laprakë. Gazment Bardhi, Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, në një reagim në rrjetet sociale, thotë se ngjarja është shokuese, ndërsa referuar njoftimeve zyrtare të Policisë, deklaron se ka dyshime për vrasje pa shkak.
Bardhi i bën thirrje prokurorisë të hetojë dhe të marrë masat për ndalimin e manipulimit të ngjarjes.
Deklarata e PD:
Para 30 viteve rininë e rrihte, persekutonte dhe vriste Gramoz Ruçi, sot e dhunon, gjobit dhe vret Edi Rama dhe Sandër Lleshaj. Kanë ndryshuar vetëm emër, por jo model! Vrasja e një të riu 25 vjeçar, vetëm se nuk i ndaloi Policisë për vendosjen e maskës dhe orarin e ndalimit të lëvizjes, është shokuese. Të dhënat e para për vrasjen e një 25 vjeçari në mes të Tiranës nga Policia e Shtetit hedhin dyshime të forta për vrasje me dashje pa asnjë shkak. Njoftimet zyrtare të Policisë së Shtetit qartazi krijojnë bindjen e tentativës për manipulimin dhe fshehjen e së vërtetës, me justifikime qesharake të denja për një bandë. Prokuroria duhet të ndërmarrë menjëherë masat për ndalimin e manipulimit të ngjarjes dhe zbardhjen e të vërtetës.
Secili prej nesh pret drejtësi për këtë akt kriminal të pashembull dhe i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes. Policia që vret një të ri në Ditën e Rinisë është modeli më i keq i Policisë së Shtetit. Sot vrasësi i të riut nuk është efektivi i policisë, por Edi Rama dhe Sandër Lleshaj, me politikën e tyre qeveritare të armiqësimit të Policisë me qytetarët dhe miqësimit të Policisë me bandat.
Është irrituese që në 8 vite Edi Rama ndërtoi modelin e Policisë që nuk lufton krimin, por burgos, gjobit dhe vret qytetarët e pambrojtur. Është e paprecedentë që në 8 vite në vend të komunikatave të përditshme sesa grupe kriminale ka zbuluar dhe arrestuar, Policia e Shtetit është fokuar vetëm tek informacioni i përditshëm sesa gjoba i ka vendosur qytetarëve. Kjo nuk është arsye se përse ekziston Policia e Shtetit. Kjo është një politikë e gabuar, që e armiqëson Policinë me qytetarët dhe e miqëson me bandat. Kjo duhet të marrë fund menjëherë!, përfundon deklarata
Vrasja ndodhi në orën 01:45 pas mesnate. Polici ishte duke patrulluar në Laprakë, kur ka pikasur të riun i cili ishte duke lëvizur përtej afatit të lejuar nga autoritetet. I riu nuk ka pranuar që të ndalojë në moment që patrulla i ka kërkuar të ndalojë për verifikim dhe sipas dëshmisë së policit është larguar dhe i riu ka vrapuar. Polici e ka ndjekur të riun, derisa ky i fundit i ka nxjerrë armën. Në këtë moment polici e ka qëlluar duke e plagosur me dy plumba, një në kokë dhe një në shpatull nga mbrapa. Klodian Rasha ka ndërruar jetë në spital ndërsa familja mohoi ekzistencën e një arme në dorën e tij.
Sorry, the comment form is closed at this time.