Osmani: Të kapërcejmë çdo barrierë, sepse mbi të gjitha jemi shqiptarë

Gjatë një konference të përbashkët me kreun e PD-së, Lulzim Basha, Presidentja në detyrë e Kosovës, Vjosa Osmani, rikërkoi që Kuvendi i Shqipërisë të miratojë një rezolutë, që dënon gjenocidin serb në Kosovë.

“Ne kërkojmë që të dënohet gjenocidi serb në Kosovë me anë të një rezolute. Duhet të dënojmë krimin serb, pa asnjë pikëpyetje. Nuk ka pikëpyetje që Serbia ka kryer gjenocid. Serbia nuk ka dashur vetëm pastrim etnik, por synimi serb ka qenë të shfarosë popullin shqiptar. Ne jemi këtu ku jemi, për shkak të luftës së UÇK-së, për shkak të Shqipërisë dhe aleancave botërore. Të mos lejojmë që Serbia të ketë sukses, sepse ata po falsifikojnë historinë. Historia ka ndodhur para syve të gjithë botës. Pamjet e masakrës janë regjistruar nga e gjithë bota. Ne nuk kemi nevojë ta ekzagjerojmë atë që ka ndodhur. Edhe ashtu siç ishte, ishte e tmerrshme. Ishte përtej çdo gjëje që mund ta imagjinojë një njeri normal. Prandaj, të flasim të gjithë për ato krime, sepse pa e njohur të vërtetën, pa pasur drejtësi, asnjë nga shtetet tona nuk do mund të ecë përpara dhe nuk mund të kemi paqe dhe stabilitet në rajon”, tha Osmani.

Presidentja e Kosovës shtoi se, është detyrë e saj parësore që të flasë me zërin që ia kanë dhënë qytetarët e Kosovës, të paraqesë detyrat legjitime dhe të kërkojë bashkëpunimin e sinqertë mes Kosovës dhe Shqipërisë: “Një bashkëpunim që nuk duhet të ketë barrierë ose keqkuptim. Edhe nëse ato krijohen, të punojmë bashkërisht që t’i eliminojmë, sepse mbi të gjitha jemi shqiptarë”.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.