Ndahet nga jeta Sherif Merdani, Ruçi: Emancipoi muzikën shqiptare

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi ka shprehur sot ngushëllimet për ndarjen nga jeta të këngëtarit të njohur Sherif Merdani. Ruçi shkruan se repertori i Sherif Merdanit ishte një simfoni e dashurisë e bukurisë njerëzore dhe se emancipoi muzikën shqiptare.

“Sherif Merdani ishte një këngëtar dhe artist i madh, që i këndoi me dashuri jetës, dashurisë, nënës dhe gjithshkaje të bukur te njerëzit, shpirti dhe ndjenjat e tyre. Repertori i Sherif Merdanit është një simfoni e dashurisë dhe bukurisë njerëzore. Me artin e tij Sherif Merdani emancipoi artin, këngën dhe muzikën shqiptare. Për këtë kontribut emancipues, ky artist i madh vuajti dënime e sakrifikoi vite të tëra nga jeta e tij. Por këto vuajtje nuk ia ndrydhën talentin dhe nuk ia pakësuan fisnikërinë. Me këngët e Sherif Merdanit jemi rritur dhe ato do të vazhdojnë të frymëzojnë brezat e ardhshëm”, shkruan Ruçi.

Edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, përmes një mesazhi ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të këngëtarit të njohur Sherif Merdani. Veliaj e ka quajtur humbjen e artistit që vuajti gjatë edhe nga regjimi diktatorial, një humbje për artin dhe muzikën shqiptare.

“Me ikjen e Sherif Merdanit, kënga shqiptare humbi një nga zërat e saj më të mirë. Ai ishte një simbol i rezistencës kundër regjimit diktatorial dhe një shpirt i lirë. U prehsh në paqe! Ngushëllime familjes,” shprehet në mesazhin e tij kryebashkiaku Veliaj.

Këngëtari i njohur Sherif Merdani ka ndërruar jetë ditën e sotme në moshën 81-vjeçare.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.