Intervista/ Nano tregon arsyen pse nuk iu bashkua PD-së në vitet ’90
Pas rrëzimit të regjimit komunist në vitet ’90, Fatos Nano qëndroi në Partinë Socialiste, edhe pse vetë ishte njeri liberal, që nuk ishte dakord me ideologjinë e Partisë së Punës. Edhe pse një personalitet i tillë, ai nuk iu bashkua Partisë Demokratike, dhe këtë e ka shpjeguar në një intervistë për emisionin “Opinion” në Tv “Klan”.
Në një rrëfim të rrallë të tij përballë gazetarit Blendi Fevziu, Nano zbuloi arsyen pse vendosi të kontribuonte për PS-në, tek e cila më pas u bë kryetar i saj.
Fevziu: Jemi në fund të vitit 1990, kur ju i takonit grupit liberal. Edhe në Tiranën e kohës konsideroheshit si një nga ekonomistët liberalë, por edhe personat liberalë. Përse nuk u anëtarësuat në PD, por mbetët në Partinë e Punës? Dhe si e kujton lëvizjen e studentëve?
Nano: Lëvizja e studentëve ishte e vërtetë. Ishte e virgjër, ishte jo shumë e koklavitur. Ishte pasqyrë e ndjenjave të moshës, e vrullit të moshës dhe kërkesave të atij brezi. Sapo filluan të afrohen intelektualë apo interesa të tjera, ajo pushoi së qeni kaq e pastër. Dhe veçanërisht qysh në tribunën e fjalimeve të para të ditës së shpalljes së Partisë Demokratike, u pa që do kishte shumë ujë për të rrjedhur. U pa që uji filloi të trazohet. Vendimi im për të mos kaluar me PD-në erdhi në mënyrë racionale dhe graduale, sepse në një kohë që të gjithë po turreshin për të kaluar me PD-në, atëherë mendova: këtu do bëhet një monizëm i ri. Dhe vendosa në mënyrë të ndërgjegjshme të qëndroj majtas, për të balancuar situatën. Natyrisht nuk do të qëndroja vetëm. Do të bashkohesha me të tjerë intelektualë të majtë, dhe këtë bëmë, balancuam situatën aq sa 4 muaj pas zgjedhjeve të ’92 fituam zgjedhjet vendore.
Fevziu: Në kohën që ju mbetet në Partinë e Punës dhe filluat të evidentoheshit si një nga të rinjtë me perspektivë dhe, natyrisht me formim krejt ndryshe, si ishte raporti juaj me klasën drejtuese që kishte qenë 40 vjet në pushtet? Pra, me ata që quheshin komunistët e vjetër? Funksiononte? Kuptonin gjë çfarë po ndodhte?
Nano: Pjesa ‘mbushje topi’ që ishin shumica e Byrosë Politike, që kishin ardhur vitet e fundit nga arat, nga kantieret, nuk është se kishin shumë pretendime. Pra, nuk shikonin rreth e rrotull, ishin të mbyllur me njëri-tjetrin, nuk i përfillnin studiuesit apo shkencëtarët dhe nuk ta varnin shumë. Ky ishte një avantazh. Në kohën që ata nuk vinin fare në bibliotekë, ti mund të shkoje dhe kishe gjithë kohën për vete, të gërrmoje në ca libra që s’i prekte njeri me dorë. Kishte atëherë në biblioteka ca gjëra të tilla. Pra, nuk ta uzurponin kohën e vlefshme të studimit. Ndërkaq, kur ne filluam të shfaqemi – sepse unë 3 vitet e fundit para pluralizimit – nisa një tur bisedash nëpër gjithë Shqipërinë me intelektualë, me kuadro. Doli nami dhe pastaj filluan të më thërrisnin mua. Shkoja pothuajse çdo dy javë dhe flisja, siç kam folur me studentët e mi. Shtroja pyetje provokuese, kërkoja përgjigje nga salla, shikoja që salla ishte gati për përgjigjen që doja unë dhe e jepja atë përgjigje. Opinioni priste, ishte kurioz se kush po thotë ndonjë gjë dhe ç’janë këta të rinj që po thonë ca gjëra. Dhe kjo më çoi mua në ‘dënimin’ që u bëra kryetar i Partisë Socialiste.
Fevziu: Ishte presioni nga poshtë që e solli?
Nano: Ishte presioni nga poshtë. Pra, unë u bëra i njohur me këto ture.
Sorry, the comment form is closed at this time.