Nano rrëfen përpjekjen për shpërthimin e burgut në vitin 1998

Ish-kryeministri Fatos Nano në të parën intervistë televizive pas 10 vitesh, ka rrëfyer në emisionin “Opinion” në Tv “Klan” edhe një moment të një vendimi të vështirë që i është dashur të marrë. Ai ka treguar si është arritur të ndalet një përpjekje për të shpërthyer Burgun e Tiranës, në mars të vitit 1998. “Në momente të vendimeve të vështira, liderët mbeten vetëm”, tha Nano.

Pjesë nga intervista:

Fevziu: Në intervistën me kryeministrin (Rama) më tha që, me Nanon kam një raport të mirë edhe për faktin se ai është i vetmi që e di sa i vetmuar është të jesh në zyrën e Kryeministrit. Ju keni marrë disa vendime shumë më të rëndësishme se sa kryeministri i sotëm dhe shumë kryeministra të tjerë, për arsye të momenteve historike që keni drejtuar qeverinë. Është e vërtetë që kur je në zyrën e Kryeministrit, edhe pse je i rrethuar nga shumë njerëz, vendimet duhet t’i marrësh i vetëm?

Nano: Në thelb është e vërtetë, sepse Kryeministri ose drejtuesi i një maxhorance qeverisëse, ka barrën dhe peshën e sëpatës së fundit. Sado të konsultohesh, sado të jesh i hapur për të dëgjuar mendimet e të tjerëve, vendimin e fundit e jep vetë. Ndërkohë, askush nga të tjerët nuk e ka përgjegjësinë për të qenë këmbëngulës, që ai e ka gjetur zgjidhjen, sepse nuk e ndjen përgjegjësinë e liderit. Në momentin e fundit do ta ndash vetë rëndësinë e veprimit, thellësinë e shtrirjes dhe impaktin.

Fevziu: Ka patur vendime të vështira?

Nano: Pa dyshim.

Fevziu: Kujton ndonjërin?

Nano: Janë dy llojesh. Unë kam qenë në zyrën e Kryeministrit të Shqipërisë deri në 2005, pothuajse çdo 4 vjet. Që do të thotë 2-3 herët e para nuk kam arritur të shpalos programin. Ishin kohë emergjencash, ishin konflikte të nxitura nga palët politike. Opozita ishte shumë më pak operuese, ishte agresive.  Mua më duhej të zhvendosesha nga kontrolli i një përpjekjeje për të shpërthyer Burgun e Tiranës, siç ndodhi në mars ‘98 tek situata në Brigadën Ushtarake të Shkodrës, ku kishin sulmuar për të vjedhur armët. Do thuash kur ngele vetëm? Në momentin që unë dhe Ndre Legisi, i cili ishte Sekretar i Shtetit, po komunikonim pa ndërprerë telefonikisht për masat që duhej të merrnim, ishte e nevojshme të prisnim, sepse FNSH ishin në Shkodër dhe u duhej 2 orë të vinin nga Shkodra në Tiranë, dhe mbi të gjitha ishin specialistë që njihnin planimetrinë e Burgut. Dinin të vepronin në këto lloj situatash. Në orën 9 në mbrëmje, në një nga telefonatat me Ndrekën, ai (Ndreka) më thotë: Neritani iku, ministri, Më dorëzoi telefonin dhe çelësat dhe më tha: Ika, se ra shteti. Dhe iku vërtet. Unë vazhdova me Ndrekën, derisa me ndihmën e radio “Kohës”, bëmë një fushatë diversioni pozitive, në mes të të rebeluarve dhe e ndamë shapin nga sheqeri, derisa u kthen FNSH nga Shkodra. E sa kisha rënë të fle në 5 të mëngjesit, më merr Neritani, ministri e më thotë: “E zgjidhëm ne situatën”. Në raste të tilla ngelesh vetëm. Nivelin e  përgjegjësisë që i takon Kryeministrit, nuk e merr askush tjetër.

Share With:
Tags
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.