Meta: Të ndalojmë shpopullimin e trojeve shqiptare në Medvegjë
Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka shprehur shqetësimin për përpjekjet që po bëhen për shpopullimin e shqiptarëve në Medvegjë, gjatë një ceremonie solemne, ku nderoi me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, veprimtarin e shquar të diasporës sonë kombëtare dhe atdhetarin nga Lugina e Preshevës, Muharrem Salihu.
Ky vlerësim i lartë, ju bë me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi për veprimtarinë frymëzuese, nxitëse, mobilizuese dhe përkrahëse, në mbrojtje të lirive e të drejtave themelore individuale dhe kolektive të shqiptarëve në Luginën e Preshevës në përgjithësi, dhe në Medvegjë, në veçanti. Me mirënjohje për investimet largpamëse në favor të zhvillimit ekonomik, social dhe punësimit të shqiptarëve dhe komunitetit, si rrugë për të ndalur shpopullimin e trojeve amtare si dhe për të nxitur normalizimin e jetës dhe bashkëjetesës ndëretnike. Për mbështetjen e fuqishme të aktiviteteve kulturore dhe artistike të shqiptarëve, që dëshmojnë gjurmët e hershme të autoktonisë së tyre në viset ku ata banojnë, kudo në Republikën e Serbisë”, thekson Meta.
Ai shtoi se, Muharremi ka financuar kërkimin, studimin e valleve, e kostumeve popullore të Medvegjës dhe ka realizuar konferenca shkencore për trashëgiminë kulturore.
“Ky kontribut është një trashëgimi, që ne të dëshmojmë botërisht gjurmët e ekzistencës sonë të hershme kombëtare në Medvegjë, komunën e njohur të Luginës së Preshevës, që sot po mpaket dhe po tkurret, por Muharremi nuk dëshiron ta lejojë këtë. Dhe Muharremi na ka bërë thirrje dhe ne që t’i bashkohemi kësaj ndërmarrje të tij kombëtare. Prej vitesh ai lufton të ndalë një proces problematik, atë të mpakjes sonë si komb, në kufijtë ekstremë të ekzistencës sonë si shqiptarë, kufij që janë rrudhur vazhdimisht në dy shekujt e fundit. Është i ashtuquajturi proces i pasivizimit të adresave. Prej vitesh ai flet me ne, me autoritetet e Shqipërisë dhe të Kosovës për këtë problem, flet me personalitete në Veneto dhe Itali, me Kongresin Amerikan, me Parlamentin Europian”, tha Meta.
Sorry, the comment form is closed at this time.