Meta: Integrimi i Shqipërisë kalon vetëm nëpërmjet zgjedhjeve te lira e të ndershme

Presidenti i Republikës, Ilir Meta u shpreh se integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian kalon vetëm përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Gjatë një bisede që kreu i Shtetit zhvilloi me eurodeputeten Isabel Santos dhe Ambasadorin e Delegacionit të BE në Tiranë, Luigi Soreca, Meta tha se do të vazhdojë të bëjë çdo përpjekje për zbatimin e të gjitha kushteve që lidhen me negociatat.
“Kënaqësi të zhvilloja sot një bashkëbisedim të sinqertë e miqësor me Raporteren për Shqipërinë në Parlamentin Europian, eurodeputeten Isabel Santos, dhe Ambasadorin e Delegacionit të BE në Tiranë, zotin Luigi Soreca.
Një falenderim i veçantë për zonjën Santos, për vëmendjen e posaçme që i ka kushtuar në Projekt Rezolutën për Shqipërinë zgjedhjeve të ardhshme, fenomenit të shpopullimit dhe cënimit të lirisë së medias në Shqipëri.
E sigurova se si President i Republikës do të vazhdoj të bëj çdo përpjekje për zbatimin e plotë të të gjitha kushteve, që lidhen me nisjen e negociatave të anëtarësimit.
Integrimi europian i Shqipërisë kalon vetëm përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe ndërtimit të shtetit ligjor me institucione të pavarura dhe funksionale”, shkruan Presidenti Ilir Meta në Facebook

Share With:
Tags
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.