Meta: Është koha për t’i thënë ‘NDAL’ shpopullimit të Shqipërisë

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, deklaroi në Ditën Ndërkombëtare të Emigrantëve, se tre dekada pas eksodit masiv në fillim të viteve ’90, ritmet e shpopullimit të Shqipërisë janë dramatike, duke dhënë si arsye standardet e përkeqësuara të qeverisjes.

Duke iu referuar të dhënave të Zyrës Evropiane për Emigracionin, Kreu i Shtetit shkruan se, 64% e emigrantëve ilegalë në Evropë nga rajoni janë nga Shqipëria. Ai bën thirrje për reflektim me shpejtësi dhe për një bashkim të madh për t’i thënë ‘ndal’ shpopullimit.

“Shembja e diktaturës së egër në fillim të viteve ’90 provokoi një eksod masiv. Tre dekada pas atyre ngjarjeve tronditëse, ritmet e shpopullimit të Shqipërisë janë sërish dramatike sepse të gjitha standardet e qeverisjes në vend janë përkeqësuar.
Të dhënat zyrtare të Zyrës Evropiane për Emigracionin bëjnë me dije se 64% të emigrantëve ilegalë në Evropë, nga rajoni, janë nga Shqipëria.
Shumica e tyre janë të rinj, që sistemi aktual nuk i dëgjon, nuk i përfshin dhe nuk ju jep asnjë mundësi.
Vetëm në muajt e fundit, edhe për shkak të COVID-19, mbi 50 mijë qytetarë humbën vendet e punës dhe në mungesë të një shpresë edhe ata janë gati të largohen.

Ndaj sot, në Ditën Ndërkombëtare të Emigrantëve, risjell në vëmendje domosdoshmërinë për të reflektuar me shpejtësi, përgjegjshmëri dhe maturi për të ndalur këtë fatkeqësi kombëtare, që nuk duhet të vazhdojë as edhe një ditë më shumë.
Në emër të një kombi, që rrezikohet në ekzistencën e vet dhe që duhet të jetojë në trojet e veta ku flitet shqip, ku zemra rreh kuqezi dhe ku ka diell për të gjithë, është koha të bashkohemi të gjithë, brenda dhe jashtë Atdheut, për t’i thënë NDAL SHPOPULLIMIT TË SHQIPËRISË.

Të bashkohemi për familjet, që aq shumë e vuajnë ndarjen dhe vetminë! Të bashkohemi për rininë, që zëri i saj të dëgjohet në Kuvend, Qeveri, Bashki dhe në çdo institucion vendimmarrës!

Të bashkohemi për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, për mirëqenie, për cilësinë më të mirë të jetesës, për vende të reja pune, për rroga më të mira, për arsim e shëndetësinë e merituar, për të luftuar korrupsionin dhe kapjen e shtetit, për drejtësi jo selektive, për rend e siguri dhe integrim evropian.
Është KOHA PËR RESTART! TË BASHKOHEMI PËR SHQIPËRINË!”- shkruan Presidenti në rrjetin social “Facebook”.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.