Mediu: Nga mungesa e rendit jemi në kërcënim të vazhdueshëm për jetën
Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, gjatë një takimi me strukturat e partisë në Shkozë të Tiranës, deklaroi se jemi në një kërcënim të vazhdueshëm për jetën nga mungesa e rendit dhe përdorimi politik i policisë.
“Kjo është situata që ka sot Shqipëria. Jemi në mungesën e shtetit, sepse Rama shkatërroi konceptin e shtetit. Jemi në mungesën e pushtetit gjyqësor dhe të Parlamentit. Jemi në një varfëri dhe papunësi të madhe, në një pasiguri juridike. Jemi po ashtu edhe në një kërcënim të vazhdueshëm të jetës për shkak të pasigurisë në rend, por edhe problemeve që vijnë për shkak të trafiqeve të ndryshme, sidomos të trafikut të drogës, i cili tashmë është bërë dominant jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon”, tha ai.
Ndër të tjera, Mediu shprehu nevojën e pjesëmarrjes së qytetarëve në debatin dhe jetën politike dhe më tej në qeverisje, duke e parë si zgjedhjen më të mirë për situatën që sot ka vendi. Duke rikujtuar një ndër arritjet me rëndësi të madhe historike gjatë qeverisjes së të djathtëve, siç është anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, Mediu u shpreh i bindur se edhe brenda 4 viteve të ardhshme, Shqipëria do të bëhet vend anëtar i BE-së: “Duke vendosur si prioritet disa çështje që janë thelbësore dhe në interesin tonë, në radhë të parë kombëtar, pastaj për të vazhduar në mundësinë për ta bërë Shqipërinë evropiane, kam bindjen që nëse do bëjmë reformat e duhura në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, ne kemi shanset dhe mundësitë që brenda 4 viteve të bëhemi vend anëtar i Bashkimit Evropian, ashtu siç u bëmë në vitin 2005 brenda 4 viteve, vend anëtar i NATO-s”.
Sorry, the comment form is closed at this time.