Mbyllja e kolegjit turk, reagon Rama

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për herë të parë pas heqjes së licencës për kolegjin turk “Mehmet Akif Ersoy” dhe kopshtin “Zubeyde Hanim”.

“Pas çdo vendimi kërkohet një qëllim tjetër nga i vërteti dhe bombardohet publiku me lajme të rreme e me teori konspiracioni! S’ka asgjë të tillë dhe asnjë qëllim tjetër, përveç zbatimit të barabartë të ligjit në rastin e heqjes së një licence shkolle si plot të tjera më parë”, shkruan Rama në një postim në “Twitter”.

“Të shesësh godinën ku ke lejen e aktivitetit shkollor dhe të hapësh aktivitetin diku tjetër, pa marrë lejen sipas ligjit, pa plotësuar kriteret e pa përmbushur standardet e kërkuara ligjërisht, është një shkelje për të cilën ligji parashikon heqjen e licencës. Përdorimi i fëmijëve pastaj për të fshehur fajin karshi ligjit, prindërve dhe vetë nxënësve, duke luajtur rolin e viktimës së qeverisë, kur në fakt je verifikuar jo një po dy herë në shkelje, tregon ndërgjegje të ulët në raport me misionin e lartë të një vatre edukimi”, shton ai.

Vendimi argumentohet me arsyetimin se ata kanë shkelur ligjin pasi nisën procesin e mësimit në vendndodhje dhe mjedise, të pamiratuara nga Ministria.

Drejtuesit e kolegjit e konsiderojnë vendimit të pabazuar, ndërsa nxënësit kanë dalë në protesta.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.