Ç’marrëdhënie ka me Fatos Nanon? Ja si përgjigjet Rama
Kryeministri Edi Rama e ka quajtur një pikë referimi paraardhësin e tij Fatos Nano për të cilin tha se, aktualisht ka një marrëdhënie shumë të bukur dhe se i jep opinionet e duhura kur ai ia kërkon.
Në përgjigje të pyetjes së një gazetari, Rama u përgjigj: “U nise nga një prezumim që të gjithë politikanët e kanë një çmim. E dini çmimin tim? Se normalisht i bie të jem dhe unë pjesë e këtij eksperimenti që të ka dalë ty me konkluzione që të gjithë e kanë një çmim. Unë nuk kam asnjë çmim, që ta dish. Po të them me bindje, jo të gjithë kanë çmim.
Politikanët nuk janë të gjithë njësoj, siç nuk jeni ju të gjithë njësoj. Megjithatë kjo është temë tjetër. Ajo që mund të them është që unë me Fatos Nanon kam një marrëdhënie që është në momentin shumë e bukur sot, sepse nuk kam në mes asnjë interferencë nga loja e shahut politik mes aktorëve. Ai me vullnetin e tij është çuar nga tavolina e shahut dhe ka zgjedhur të tërhiqet, me një dorëheqje pas një fushate elektorale.
Për mua, Fatos Nano është një pikë referimi në sensin që ai ka qenë, dhe duke qenë i zhveshur nga interesat dhe dinamikat e brendshme të çdo aktori që është në tavolinën e shahut, ka të gjithë qetësinë për të më dhënë opinionet e duhura kur unë ia kërkoj. Do të thotë që jam unë që kërkoj opinionet e tij, nuk është ai që ofrohet për të më dhënë opinione nëse unë nuk i kërkoj. E vërteta është që diferenca në këtë rast është se ai nuk e ka pasur një paraardhës me eksperiencën e duhur dhe me talentet e duhura për të nxjerrë nga eksperienca përfundime për të ndihmuar pasardhësin. Unë e kam!
Eshtë një aset dhe është një fat dhe kënaqësi që në këtë detyrë të kesh mundësi të komunikosh me ata të cilët e kanë pasur këtë detyrë më parë. Vetëm kush ka qenë këtu e di ça është vetmia e majës, asnjë tjetër se kupton. Ata që nuk e kanë jetuar majën, kujtojnë se në majë bën qejf, mbretërohet, jepen thjesht urdhra dhe kundrohet jeta. Në majë je vetëm, era fryn nga të katër anët dhe duhet të marrësh vendime kyçe”.
Sorry, the comment form is closed at this time.