LSI për zgjedhjet/ Jo në të gjitha zonat do të bëjmë koalicion me Partinë Demokratike

Ish deputetja e LSI-së, Klajda Gjosha tha se opozita e bashkuar është ende në diskutime se si do të dalë në listat e zgjedhjeve të 2021, por shtoi opsionin se mund të ketë edhe alternime të tyre, ku në disa qarqe të kandidojnë vetëm dhe në disa qarqe të tjera të kandidojnë me PD-në, në mënyrë që të maksimizohet vota. Në një intervistë për Report Tv, Gjosha u shpreh se partitë janë duke bërë kalkulimet e tyre dhe shumë shpejt do të dalin me një vendim përfundimtar.
“Opozita e Bashkuar është në diskutime e sipër për mënyrën se si do shkojmë në zgjedhje, ende nuk ka përfunduar dhe jemi duke parë të gjitha mundësitë. Secila nga partitë do të bëjë dhe kalkulimet e saj për maksimizimin e votës, ku mund të ketë edhe alternime të listave, ku në disa qarqe të shkojmë vetëm dhe në disa të tjerë mund të shkojmë së bashku me PD-në. Jemi duke parë të gjitha alternativat për të maksimilizuar votën. Brenda pak kohësh do të kemi një vendim përfundimtar, por të jeni të bindur se do të bëhet zgjedhja më e mirë për të maksimilizuar votën në zgjedhjet e ardhshme”, tha Gjosha.
Ajo tha se LSI i ka deleguar të besuarit e saj në disa nga qarqet kryesorë dhe kanë nisur punën për organizmin e fushatës dhe zgjedhjeve të 25 prillit 2021.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.