LSI: Banorët e Kombinatit po nxirren nga pronat e tyre pa kontratë
Lëvizja Socialiste për Integrim kërkoi që rindërtimi i pallateve të dëmtuara nga tërmeti në Kombinat të bëhet në të njëjtin vend ku ndodhen aktualisht. Ish-deputetja e LSI-së Floida Kërpaçi deklaroi se banorët po nxirren nga pronat e tyre, pa pasur asnjë kontratë dhe asnjë garanci juridike, që nuk tjetërson pronën e tyre.
Me urdhër të Bashkisë së Tiranës ka filluar prishja e pallateve në Kombinat. Banorët po nxirren nga pronat e tyre, pa pasur asnjë kontratë dhe asnjë garanci juridike që nuk tjetërson pronën e tyre.
Vendimi për prishje, pa garantuar banorët të cilët janë pronarë të ligjshëm të truallit është totalisht në shkelje të ligjeve të shtetit shqiptar.
As qeveria dhe as Bashkia e Tiranës nuk mund të marrin vendime pa firmosur me banorët një kontratë se çfarë do të bëhet me truallin e këtyre godinave.Këta banorë përveçse janë pronarë të apartamenteve të banimit dhe bizneseve të tyre, në momentin që kanë privatizuar këto banesa kanë blerë dhe truallin dhe njihen ligjërisht si bashkëpronarë”, theksoi Kërpaçi.
Sipas saj, zëri i banorëve të dëgjohet, që rindërtimi të kryhet në të njëjtin vend ku kanë banuar deri më tani këta banorë dhe jo të degdisen në zona të tjera.
“LSI garanton të gjithë banorët e Kombinatit dhe të të gjithë zonave të prekura nga tërmeti se rindërtimi do të kryhet me përgjegjësi të plotë në respekt të të gjitha të drejtave të tyre si pronar, aty ku kanë pronat aktualisht”, theksoi ish-deputetja e LSI-së
Sorry, the comment form is closed at this time.