Lleshaj: Karta, kusht për identifikimin në zgjedhjet e ardhshme
Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, gjatë një vizite në zyrën e aplikimeve në njësinë numër 6, në Tiranë, ka theksuar se qytetarët duhet të nxitojnë për të aplikuar për dokumentet biometrike. Lleshaj u shpreh se janë hapur për të ndihmuar qytetarët të cilët do të votojnë në zgjedhjet e ardhshme.
“Përmes shërbimeve online është kursyer shumë kohë. Që të bëhen pjesë e këtij procesi është me rëndësi që qytetarët të identifikohen. U bëj thirrje qytetarëve të nxitojnë pranë zyrave për të aplikuar. Ne po zgjerojmë shërbimet edhe për qytetarët që janë jashtë vendit. Janë gjashtë zyra të reja të hapura”, tha Lleshaj.
Sipas tij, zgjerimi i shërbimeve kërkon dhe bashkëpunimin e qytetarëve, pasi ID karta është çelësi që hap derën për të gjitha shërbimet online apo në mënyrë fizike. “U bëj thirrje qytetarëve të nxitojnë për të aplikuar, që mos të befasohen kur t’u kërkohet kartë e re identiteti. 2021 është vit zgjedhor dhe karta ID është kusht për identifikimin e zgjedhësve, për marrjen pjesë në proces”, tha ministri Lleshaj. Ai shtoi se “po zgjerojmë shërbimet edhe për qytetarët që janë jashtë vendit, pasi janë hapur 6 zyra të tjera aplikimi pranë konsullatave e ambasadave shqiptare në Evropë. Ftoj bashkëatdhetarët të bëhen pjesë e procesit të regjistrimit të adresës në vendet ku banojnë, që të bëhen përfitues të shërbimeve në Shqipëri, ku e drejta e votimit do të jetë njëra prej tyre”.
Sorry, the comment form is closed at this time.