LISTA/ Të besuarit e Ramës që u arrestuan apo lanë mandatin

Në pak më shumë se 8 vite qeverisje të socialistëve, kryeministri Edi Rama është detyruar të humbasë një numër të madh bashkëpunëtorësh te arrestuar si të përfshirë në akte kriminale, që nga vrasjet e deri te korrupsioni.

I fundit ndër ta është ish-deputeti, Alqi Bllako, ndaj te cilit ka nje vendim gjykate per arrestim për akuzën e korrupsionit me inceneratorët.

Në fakt lista është shumë e gjatë dhe nis shumë herët, që në vitet e para, pasi socialistët arritën të marrin pushtetin në vitin 2013.

I pari që humbi mandatin dhe më pas u arrestua nga policia ishte deputeti i Lezhës, Armando Prenga. Ai arrestua në kushtet e flagrancës, pasi u përfshi në një konflikt me armë në komisariatin e Laçit.

Pas tij radha ishte e një tjetër deputeti të Lezhës, kësaj here Arben Ndokës, i cili humbi mandatin, pasi u prek nga ligji i dekriminalizimit. Ai kishte fshehur një dënim në Itali.

Lista do të zgjatej edhe më tej me dy deputetë të tjerë, Tom Doshi, i zgjedhur nën singlën e PS, dhe Mark Frroku, i zgjedhur si aleat i socialistëve, po në qarkun e Shkodrës.

Tom Doshi u vu më pas në pranga për kallëzim të rremë, ndërsa u shpall edhe person non grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa Mark Frroku më vonë përfundoi prapa hekurave me vendim të formës së prerë, për fshehje pasurie, pastrim të produkteve të veprës penale dhe ndërtim pa leje.

Lista e personave që kishin problem me drejtësinë u shtua edhe më tej gjatë mandatit të dytë të socialistëve. Mandatin u detyrua ta lërë edhe ish-ministri i Rendit, Sajmir Tahiri, i cili pas një beteje të gjatë ligjore përfundoi në burg për shpërdorim detyre.

Postin e ministrit të Brendshëm do e linin nën akuza të forta politike edhe dy figura të tjera të socialistëve, Fatmir Xhafaj dhe Sandër Lleshi. I pari u detyrua të largohej pasi ishte vënë në qendër të akuzave për shkak të vëllait, i cili i ishte fshehur ekzekutimit të një dënimi nga autoritetet italiane për trafik droge.

Ndërsa Sandër Lleshaj u detyrua të largohej nga posti pas vrasjes tragjike nga një punonjës policie të të riut Klodian Rasha.

Një tjetër ish-ministër i Ramës përfundoi në burg dhjetorin e shkuar për korrupsion dhe pastrim të parave. Bëhet fjalë për ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka i përfshirë në çështjen e inceneratorëve, ashtu si edhe Bllako.

Lista bëhet edhe më e gjatë me drejtuesit e pushtetit lokal, si ish-kryetari i Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi, i cili kishte fshehur një krim në Itali.

Një tjetër kryebashkiak që ra në pranga ishte edhe ai i Lushnjaës, Fatos Tushe, i arrestuar për korrupsion.

Në pranga ra edhe kryetari i Bashkisë së Vorës, Agim Kajmaku, i cili po ashtu kishte fshehur një dënim në Greqi.

Ndërkohë që Vangjush Dako, një tjetër figurë e rëndësishme e socialistëve dhe që drejtoi Bashkinë e Durrësit për më shumë se 10 vite, u detyrua të mos rikandidojë më, pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës e shpallën non grata.

Kësaj liste i shtohet një tjetër emër i njohur i socialistëve. Bëhet fjalë për kryetarin e zgjedhur të Bashkisë së Shkodrës, Valdrin Pjetri, i cili hoqi dorë nga marrja e mandatit të kryebashkiakut, pasi kishte mashtruar në deklarimin e formularit të dekriminalizimit,, duke fshehur një dënim.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.