Linda Rama: Pse nuk i festojmë fitoret dhe një këshillë për mandatin e tretë

Linda Rama ka rrëfyer mbrëmjen e sotme përballë gazetares Ilva Tare ndjesitë që i dha fitorja e një mandati të tretë qeverisës prej bashkëshortit të saj, Edi Rama.

Ajo foli për një sens lehtësie dhe energjizimi për arsyen se mandati i tretë është shumë i rëndësishëm, sipas saj, për një agjendë që vetëm Edi Rama e çon në një stacion të pakthyeshëm.

Gjatë intervistës, bashkëshortja e kryeministrit vuri në dukje se në familjen e tyre, fitoret nuk janë festuar asnjëherë.

“Nga ana tjetër, doja të thoja këtë gjë që ne asnjë fitore të Edit – se janë disa fitore, janë gjithmonë fitore në një farë mënyre – të paktën për sa kohë unë jetoj me të, ne nuk e festojmë.

Asnjëherë nuk kemi festuar një fitore të zgjedhjeve të Edit, sepse fitoret e partive në zgjedhje nuk janë si fitore në sport, që ti je në një kampionat sporti, je më i miri, fiton një kupë, kupa është aty, është e pakontestueshme, e ke për gjithë jetën dhe i gëzohesh asaj kupe dhe vazhdon për kupën e radhës.

Në politikë nuk është kështu. Në politikë, një fitore është thjesht një privilegj i madh dhe një mundësi e madhe për të vijuar, për të bërë punë. Dhe ndërsa ti bën gjithë këto punët në vijim, është një stres i përditshëm dhe është një konfirmim që ti e kërkon ta marrësh çdo ditë dhe çdo ditë të punës tënde”, tha zonja Rama.

Për të, Partia Socialiste është sot në nivelin e misionit të saj në raport me Shqipërinë.

Kur u pyet për një këshillë që do t’i jepte bashkëshortit të saj në vazhdim, Linda Rama tha se Shqipëria ka nevojë për zhvillim cilësor dhe standarde të reja.

“Ajo që do të thoja unë është se Shqipëria ka arritur në pikën që ka nevojë për zhvillim cilësor dhe për standard. Ky duhet të jetë fokusi dhe mendoj që Shqipëria nuk ka më kohë që të presë që cilësia dhe standardi të jenë kryefjala e çdo gjëje që i ofrohet. Negociatat janë përafrim ndaj legjislacionit, standardeve, cilësisë të asaj familjeje ku ne aspirojmë.

Prandaj po them që jemi në stacionin dhe është kontributi i…nuk është një kontribut i një dite apo dy, është 30 vite tashmë dhe pas 30 viteve ne jemi në pikën që duhet të mendojmë shumë seriozisht për standardet, jo thjesht për zhvillimin.

Duhet të mendojmë shumë seriozisht për cilësinë. Atë që duam edhe vetë në të përditshmen,për këtë ka nevojë edhe Shqipëria edhe shqiptarët, besoj unë”, tha ajo.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.