Kryemadhi: Merrjani paratë, por mos i jepni votën
“Merrjani paratë, filloni punë në administratë publike që ai ju propozon, por më 25 prill votën mos ia jepni”. Kjo është batuta që vetë kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi pranon se u thotë qytetarëve në takimet e ndryshme që organizon.
Po ashtu, Kryemadhi shton se Rama i ka gënjyer tetë vite qytetarët dhe nuk bëhet qameti se ata e gënjejnë një herë.
“Fustrimi dhe nervozizmi i qytetarëve me qeverisjen është shumë i madh. Një nga batutat që ne bëjmë është ‘ju ka gënjyer tetë vjet Edi Rama, merrjani paratë, filloni punë në administratën publike që ai ju propozon, por më 25 prill votën mos ja jepni. Ju ka gënjyer tetë vjet, se e gënjyet një herë nuk u bë qameti dhe mos u turpëroni me gënjeshtarin, edhe nëse e gënjeni dhe votoni për veten tuaj më 25 prill”, tha Kryemadhi.
Më tej, kryetarja e LSI-së shton se Ramës i eci puna me pushtetin, pasi njerëzit ishin mësuar me politikën serioze dhe batuta që ai solli, u pëlqeu.
“Për mua, Rama është një njeri që i eci, duke qenë se njerëzit ishin mësuar ta shikonin politikën serioze, u pëlqeu batuta, por tashmë njerëzit e kanë kuptuar që shtëpia nuk mbahet as me batuta, as me kazanë e as me tepsi. Shtëpia mbahet me bukë, mbahet me taksa të ulëta, me çmim energjie më të ulët, me një kosto jetese që duhet të kushtojë pak për xhepin e shqiptarëve, por duhet të ketë standard shumë të lartë për të jetuar. Kështu që shqiptarët u lodhën me tepsinë, me timonin, ka ardhur koha që duan ndryshim”, tha Kryemadhi.
Sorry, the comment form is closed at this time.