Kryemadhi i përgjigjet Ramës: Intrigant i rëndomtë politik
Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, u përgjigjet deklaratave të kryeministrit Edi Rama në lidhje me të ashtuquajturin plan që ai dhe Basha kishin për të çuar LSI për skrap.
“Edi Rama rizbuloi për të njëmijtën herë se ai nuk ka asnjë plan për këtë vend. Siç u shpreh dhe vetë në mënyrë të dëshpëruar, i vetmi plan i tij është ‘çuarja e LSI për skrap’.
Nga shërbëtor i shqiptarëve që duhet të ishte, Edi Rama është shndërruar thjesht në një intrigant të rëndomtë politik, që siç e keni parë, më shumë se sa për t’i sjellë vaksinat këtij populli, më shumë se t’u rindërtojë shtëpitë e prishura nga tërmeti shqiptarëve, më shumë se sa t’u rrisë atyre rrogat apo pensionet, mendon vetëm e vetëm si t’i rrëmbejë ndonjë deputet LSI, si të përçajë opozitën.
Edi Rama është në atë fazë psiqike, kur gëzohet më shumë teksa ndonjë dhëmb i prishur i LSI, fjala bie kalon në kampin mavi, se sa po të marrë vesh se shirat do pushojnë dhe Shqipëria nuk do ketë më përmbytje.
Edi Rama jo vetëm nuk ka asnjë plan që i shërben shqiptarëve, por siç po e shikoni gjithmonë dhe më qartë, e vetmja strategji e tij mafioze dhe politike është thjesht dhe vetëm goditja e LSI. Nuk jep llogari as për papunësinë, as për koston e lartë të jetesës, as për shpopullimin dhe mungesën e perspektivës tek të rinjtë. Të gjitha dështime dhe përgjegjësi e tij.”, shkruan Kryemadhi.
Sorry, the comment form is closed at this time.