Kriza energjetike/ Rama prezanton sot planin e posaçëm

Kryeministri Edi Rama pritet të publikojë sot planin e posaçëm për krizën energjetike të paralajmëruar në vend.

Dje, pas një mbledhjeje të jashtëzakonshme, qeveria shpalli gjendjen e emergjencës energjetike.

Kryeministri Rama deklaroi se vendimi i emergjencës është i diktuar nga një situatë e përgjithshme e rritjes marramendëse të çmimit të energjisë elektrike në tregjet ndërkombëtare. Vendimi i jep qeverisë mundësinë të ndërhyjë, qoftë me instrumentë financiarë, qoftë edhe me instrumentë të natyrës administrative.

Sipas tij, me këtë vendim i hapet rrugë dhe ekzekutimit të planit të posaçëm për ta përballuar këtë situatë.

Rama theksoi se prioritet i qeverisë është mbrojtja e konsumatorëve, por edhe i bizneseve të vogla.

Vendimi i marrë dje në mbledhjen e jashtëzakonshme të qeverisë, parashikon ngritjen e një grupi ndërinstitucional për menaxhimin e emergjencës në furnizimin me energji elektrike.

Gjithashtu, kërkohet nga shoqëritë “KESH”, sh.a., “OST”, sh.a., dhe “OSHEE Group”, sh.a., të pezullojnë planet e investimeve, përveç investimeve të domosdoshme për ushtrimin e veprimtarisë.

Kjo gjendje, sipas vendimit, i shtrin efektet deri më 15 prill 2022.

Po dje, kreu i PD-së Lulzim Basha deklaroi se nuk bëhet fjalë për krizë energjetike, por për korrupsion dhe keqmenaxhim. Ai sulmoi OSHEE dhe KESH, duke i quajtur “kuvli patronazhistësh dhe militantësh partie”.

Basha denoncoi tre tenderë të Furnizuesit të Tregut të Lirë për blerjen e energjisë, ku çmimi është shumë më i lartë se çmimi i bursës, me një diferencë prej 10 milionë eurosh.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.