Konstituohet Komisioni Hetimor për raportin e Dick Marty, zgjidhen dy relatorët.
Mblidhet për herë të parë Komisioni i Posaçëm për Çështjet e raportit të Dick Marty. Kryetari i komisionit, Ulsi Manja propozoi për relatorë deputetet Klotilda Bushka dhe Elena Gjika, të cilët u miratuan nga anëtarët e këtij komisioni. Në mbledhjen e radhës do të diskutohet për kalendarin dhe programin që do të ketë ky komision.
Deputeti Myslim Murrizi kërkoi të dinte nëse ligji i 2012 ka pas hetim nga organet ndërkombëtare, ka qënë hetim i pavarur apo ka marrë pjesë edhe prokuroria shqiptare? “Nëse është thjesht komision për të marrë materiale të arkivuara diku nuk ka rëndësi ky komision, ne këtu duhet të thërrasim dhe dëgjojmë individë të përfshirë në hetim, apo të hamendësuar për krime siç hamendëson Dick Marty. Pra, nëse ka prokurorë nga Shqipëria që janë marrë me këtë çështje do ishte e udhës të thirreshin në komision. Po të jetë çështje shkresash le ta kërkojë protokolli i Kuvendit, s’ka nevojë të mblidhemi 9 deputetë këtu. Qershia mbi tortë e gjithë punës është se parlamenti duhet të miratojë rezolutë në mbështetje të luftës së popullit të Kosovës. Jemi mbledhur këtu për të prit postën që do vijë, apo do merremi realisht me këtë tollovi mediatike për të zbardhur diçka më shumë se ata që kanë e hyrë e kanë dalë duke mbushur trastat këtu e duke fjetur tek Rogner”.
Kryetari Manja u shpreh se kuvendi ka adresuar ngritjen e këtij komisioni, objekti i punës është i përcaktuar dhe ka të bëjë me sjelljen e institucioneve shqiptare se si e kanë zbatuar ligjin e miratuar në vitin 2012 apo se si është interpretuar raporti i Dick Marty. “Ligji 53 i vitit 2012 i hapte rrugë bashkëpunimit me Eulex për të verifikuar të dhënat e raportit të Dick Marty. Secili nga kolegët është i ftuar, këtu të mos administrohen vetëm dokumentacione, por nëse çmohet e domosdoshme do ta vlerësojmë nëse do dalim me një raport. Unë mendoj që në mbledhjen e radhës kur të kemi programin dhe kalendarin ta diskutojmë”, shtoi Manja.
Me humor, Murrizi pyeti nëse rron ky Sadiku, duke patur parasysh Dick Marty dhe u ‘qetësua’ pasi Manja tha se, jo vetëm rron, por është edhe në rolin e dëshmitarit.
Sorry, the comment form is closed at this time.