Konjufca nga Parlamenti i Shqipërisë: Të jemi të bashkuar, Serbia po e lufton Kosovën nga brenda e nga jashtë

Kryetari i Parlamentit të Kosovës Glauk Konjufca, në seancën e përbashkët plenare Shqipëri-Kosovë, u shpreh se 28 Nëntori i bëri tok dy vendet në Tiranë. Konjufca shtoi se aq sa duhet të festojmë, nevojitet edhe të reflektohet për shkak të trazirave që po ndodhin nëpër botë, duke shtuar se Serbia nuk e fsheh qëllimin destabilizues.

“Të dashur deputetë të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe Kosovës, i nderuar kryeministër Edi Rama e Albin Kurti, mysafir të nderuar zonja e zotërinj. Na ka bërë tok në Tiranë 28 nëntori, le t’i përshëndesim ngrohtësisht të gjithë shqiptarët nga këtu në të gjitha trevat, çdokund ku ata jetojnë.

Jemi këtu, jemi me ju, ju kemi në zemër, urime dita e flamurit. 28 nëntori mban aspiratat e përbashkëta dhe dashurinë e madhe për kombin tonë. Kjo ditë e ka krejt simbolikën e nevojshme për të mbajtur gjallë emocionet më të thella, gatishmërinë më të vendosur dhe kujtimet tona më të çmuara.

28 nëntori është i gjithë shqiptarëve. Historia jonë kombëtare është një substancë. Kur ecnim në tehun e hollë të ekzistencës na mbajti gjallë dashuria jonë për gjuhën shqipe dhe lidhja jonë e fortë. Dy ngjarje të rëndësishme e kanë hapur kapitullin e mundësive, ardhja e demokracisë në Shqipëri dhe çlirimi i Kosovës nga pushtuesit serbë. Orientimi gjeo-strategjik kombëtar është drejt BE-së, brenda NATO-s dhe me mbështetjen e Amerikës.

Aq sa duhet të festojmë, na nevojitet reflektim sepse bota sot po përballet me trazira. Serbia nuk e fsheh aspak qëllimin e saj destabilizues, na lufton nga brenda e jashtë prej diplomacisë e deri te krimet brenda vendit tonë. Sa më afër njëra tjetrës Shqipëria me Kosovën! Përkatësia më e fuqishme thoshte Sami Frashëri është kombëria, kjo na mban të sigurt! Rrnoftë Dita e Flamurit! Rrnoftë Shqypnia!

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.