Kongresi i PS-së në stadium, Malaj: Kjo nuk ndodh as në Kinë

Ish-ministri i Ekonomisë, Arben Malaj, si dhe një nga figurat e njohura politike në Partinë Socialiste ka kritikuar mbajtjen e Kongresit të PS-së në stadiumin, “Air Albania, duke nënvizuar faktin se Kongresi nuk është festë, por një ngjarje e rëndësishme për partinë.

“Sepse fjala Kongres dallon nga fjala festë. Mbledhja e Kongresit ka një rëndësi të madhe për partinë. Rilindasit janë të fokusuar më shumë te festimet sesa te përgjegjësitë. Siç e kam theksuar, në ndjekjen e kujdesshme që bëj, nuk e gjej në asnjë vend tjetër. Këtë nuk e gjej as te Partia Komuniste e Kinës që përfaqëson 1.4 miliardë banorë që nuk bëjnë kongrese në stadium”, tha Malaj.

Më tej ish-socialisti shtoi se qëllimi i vërtetë për t’u mbledhur në stadium nuk kanë qenë rregullat anti-COVID, siç mundohen ta justifikojnë figurat pranë PS-së, sepse po të ishte kjo arsyeja, atëherë do ta mbanin online.

“Kot lodhen disa figura pranë PS për të justifikuar domosdoshmërinë e mbajtjes së Kongresit në stadium. Nuk e di cila është arsyeja e mbajtjes së Kongresit në stadium. Na bëka një Kongres të jashtëzakonshëm në stadiumin Kombëtar. Kam dhembshuri për socialistët e thjeshtë. Duhet një reagim i shoqërisë. Modeli i pushteteve absolute është një model që e gërryen demokracinë”, theksoi Malaj.
Ai tha se është kohë e humbur t’i japësh këshilla atyre që s’kanë veshë.

“E para mbi të gjitha, ne duhet të kemi respekt për kohën. T’i japim këshilla atyre që i kanë veshët e mbyllur, është kohë e humbur”, deklaroi Malaj.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.