Kadilli: Basha e përçau PD-në, dolën edhe katër parti

Kandidati për kryetar të Partisë Demokratike, Fatbardh Kadilli zhvilloi një takim me anëtarë të së djathtës shqiptare në degën Nr. 9 në Tiranë, ku akuzoi Lulzim Bashën për përçarjen e partisë, nga e cila brenda pak kohe dolën 4 subjekte.

“Nga kjo parti kanë dalë 4 parti të vogla, nuk ka rëndësi kush e ka fajin, por që prodhuan 20 mijë vota, po t’i kishim ne? Rezultati do të ishte ndryshe. Plus nuk u mobilizua gjithë partia në garë, kryetarë, ish-kryetarë degësh apo drejtues dhe ish-drejtues që nuk u mobilizuan, e gjithë fushata ishte mobilizuar te Lul Basha” tha ai.

Rivali i Bashës kishte kritika edhe për strategjinë e protestave. “Kur u tremb Edi Rama? Kur dolën studentët, nuk i nxorëm ne, dolën vetë, por ishin edhe tanët. Për fat të keq ata që i nxirrnin ishin marksistë, më keq se socialistët për ne.

Edhe kur vajti te teatri, Bashën e përzunë në fillim. Edhe kur vajtën tanët te protesta për armët kimike na përzunë, i gjuajtën me shihe. Ai që thotë do ta rrëzojmë me protesta, stina e protestave, të gjitha janë gënjeshtra për të mbajtur partinë në gjendje lufte, që askush të mos mendojë të zëvendësojë kryetarin” tha ai.

Kadilli duke iu referuar dorëzimit të listave në minutën e fundit u shpreh se kjo gjë duhet do të ndryshojë nëse do të zgjidhet ai në krye të PD-së. “Nuk ka përse të lihen në minutën e fundit. Edhe për bashkitë. Kandidati për Bashkinë e Tiranës duhet të jetë përcaktuar maksimumi në janar” theksoi ai.

Në garë për postin e kryetarit të PD-së janë Lulzim Basha, Edith Harxhi, Fatbardh Kadilli dhe Agron Shehaj, ndërsa zgjedhjet do të zhvillohen në 13 qershor.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.