Gratë në politikë, Nikolla: Më shumë për barazinë gjinore

Në kuadër të aktiviteteve që ka ndërmarrë Prezenca e OSBE-së në Tiranë për të promovuar më shumë barazinë gjinore dhe agjendën “Gratë, Paqja dhe Siguria”, kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, ka folur mbi luftën kundër dhunës me bazë gjinore dhe pjesëmarrjen e grave në politikë.

Nikolla falënderoi posaçërisht OSBE-në, “si një partner i rëndësishëm për të adresuar çështjet e barazisë gjinore, por posaçërisht për asistencën tejet të vlerë, që i bën punës së Kuvendit të Shqipërisë”.

“Duke reflektuar për rrugëtimin tim politik edhe kontributit tim modest në detyrat që kam pasur, e përsëris se ia ka vlejtur ky angazhim. Ia ka vlejtur për të mundësuar më shumë ndryshime, për të realizuar më shumë ide, që nëse nuk do të isha në politikë, do ta kisha të pamundur. Duke nisur nga përballja ime e parë në elektorat me komunitetin, për zgjedhjen e kryetarit të njësisë bashkiake në vitin 2007, kur përballë meje ishte një burrë dhe atëherë forca ime politike ishte në opozitë. Përballova hezitimin e komunitetit dhe zhvillova një fushatë, që unë e kam titulluar fushatë jo derë më derë, por zemër më zemër, me idenë për të kontaktuar me çdo familje dhe çdo banor të komunitetit. Po ia dolëm, ia dolëm të ishim një fushatë fituese, edhe pse ishim në opozitë, edhe pse isha një grua. Një komunitet heterogjen në minibashkinë nr. 1 në Tiranë, ajo zgjodhi t’i besojë një gruaje dhe më pas kontributi im së bashku me skuadrën e njësisë bashkiake nr. 1 bëri të mundur që në zgjedhjet pasardhëse, fitorja të ishte edhe më e thellë, besimi të ishte edhe me i madh dhe shërbimi për qytetarët më i dobishëm”, tha Nikolla.

“Në lidhje me dyshimin që pritshmëritë janë që gratë duhet të bëjnë punë të thjeshta sepse janë të paragjykuara, mund të pohoj se edhe unë jam paragjykuar në detyrën time në disa raste. Kujtoj këtu vendimin e vështirë për mbylljen e 22 universiteteve private; kujtoj rrugëtimin e gjatë që ne bëmë në kontrollin e verifikimit të ligjshmërisë dhe asnjë nga burrat pronarë të universiteteve, as nuk e mendonin dhe as nuk e besonin që një grua ministre do të merrte një vendim të fortë, por të duhurin, për mbylljen e 22 universiteteve. Paragjykim që unë e kam ndjerë edhe në opinionin publik, duke parë që nuk mundet një grua që nuk bërtet, një grua e qetë, një grua që më shumë dëgjon, të ketë aftësi të tilla që të marri vendime kaq të forta, sepse lidershipi i fortë gjithmonë asociohet me lidershipin burrëror”, u shpreh Nikolla.

“Ky është një lloj paragjykimi që vjen edhe nga mentaliteti i shoqërisë që sukses në politikë arrijnë burrat e fortë të politikës. Por prania e shumë zonjave në kabinetin qeveritar tregon të kundërtën dhe jemi vendi i parë në botë qe kemi bërë të mundur që 70% e kabinetit qeveritar të jenë gra dhe vajza”, tha Nikolla.

“Ndaj, unë këtë e besoj fort dhe mendoj që të gjitha gratë dhe vajzat që janë pjesë e politikës, përtej barrierave që ofron politika jonë, shpeshherë e ashpër dhe e padrejtë përkundrejt drejtimit dhe çfarë ofron një grua apo vajzë që sot është në pozicione drejtuese, ne duhet të jemi të gjitha bashkë një zë i bashkuar për të bërë më mirë dhe më shumë për barazinë gjinore, për të adresuar çështjen e dhunës me bazë gjinore dhe për të fuqizuar gratë dhe vajzat, patjetër duke bërë të mundur edhe përmirësimin e jetës së tyre sociale dhe ekonomike”, theksoi Nikolla.

“Do të ishte utopike të mendonim se ne do të çonim përpara çështjen e barazisë gjinore dhe adresimin e çështjeve që lidhen me gratë dhe vajzat, duke u shkëputur nga ndërveprimi dhe bashkëpunimi me djemtë dhe burrat e këtij vendi. Ne duhet të jemi bashkë aty ku merren vendime dhe gjej me vend faktin se në rrugëtimin politik, ne për të bërë sukses nuk kemi qenë të vetme”, tha Nikolla.

“Sigurisht, dhuna fizike, seksuale, psikologjike është shkelje e të drejtave të njeriut në rastet më të rënda dhe fatkeqësisht raportet tregojnë se është një fenomen që ka gjetur shtrirje në shoqërinë tonë, ndaj duhet adresuar me forcë deh duhet adresuar përmes mekanizmave parandaluese, por edhe ndërgjegjësuese për raportimin e dhunës, sepse është e vërtetë që gjithë kjo situatë bashkëshoqërohet nga një mentalitet, që gati- gati është kthyer në një normë të shoqërisë shqiptare, që dhuna është çështje e brendshme, personale dhe nuk denoncohet”, shtoi Nikolla.

“Më vjen mirë teksa shoh dhe besoj që tek vajzat dhe gratë e reja ky mentalitet ka filluar të ndryshojë dhe shumë shpejt ato do të jenë denoncuese dhe do të kuptojnë që ky nuk është një fenomen që mund të mbahet brenda familjes apo brenda vetes, ndaj ftoj dhe përfitojë nga rasti për të bërë edhe njëherë një thirrje që është shumë e rëndësishme që dhuna kudo ku ajo ndodh: në familje, në punë, media, kudo ku ndodh, ajo duhet denoncuar”, u shpreh Nikolla.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.