GJK për Teatrin, Vetëvendosja: Hapi i parë në rrugën e drejtësisë

Lëvizja Vetëvendosje në Shqipëri ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhu me Teatrin Kombëtar, duke e cilësuar si hapin e parë në rrugën e vendosjes së drejtësisë ndaj krimit institucional të shembjes së këtij monumenti të trashëgimisë kulturore.

“Rindërtim dhe drejtësi pas fitores së Teatrit Kombëtar në Kushtetuese
Ditën e sotme, Gjykata Kushtetuese ka shpallur si antikushtetues Ligjin Special për Teatrin Kombëtar dhe vendimin për shembjen e tij më 17 maj 2020. Njëkohësisht GJK ka ndaluar punimet për një objekt të ri mbi truallin e Teatrit. Lëvizja Vetëvendosje në Shqipëri e përshëndet këtë vendim që shënon një fitore për mbrojtjen e trashëgimisë, qytetin dhe rezistencën qytetare.

Ky është vetëm hapi i parë në rrugën e vendosjes së drejtësisë ndaj krimit institucional të shembjes së këtij monumenti të trashëgimisë kulturore dhe dhunës së shfrenuar policore. Me këtë vendim, protestat në mbrojtje të Teatrit Kombëtar u dëshmuan të drejta. Tani Teatri Kombëtar duhet rindërtuar mbi truallin e vet, me teknikat dhe materialet autentike për të ruajtur memorien kolektive dhe trashëgiminë tonë të përbashkët.
Nga ana tjetër, për ta çuar drejtësinë deri në fund, institucionet duhet të hetojnë dhe ndëshkojnë përgjegjësit në zyrat e pushtetit që morën vendimin e shembjes dhe urdhëruesit e dhunës policore mbi qytetarët që mbrojtën Teatrin Kombëtar.”, thuhet në deklaratën e kësaj Lëvizjeje.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.