PD reagon përsëri: Skema e rimbursimit të barnave për COVID, e paprecedentë
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi u shpreh se, sipas vendimit të qeverisë, nëse receta lëshohet para konfirmimit të tamponit pozitiv nga ISHP, askujt nuk i jepen paratë.
“Kushti që ilaçet rimbursohen vetëm kur (pasi) pacienti konfirmohet pozitiv nga ISHP, e bën praktikisht të pazbatueshëm vendimin për rimbursimin. Është fakt që mjekët e familjes, bazuar në simptomat e pacientit apo rezultatet e testit të kryera në privat, e fillojnë mjekimin e pacientëve pa pritur konfirmimin e testit nga ISHP. Kjo ndodh, sepse të gjithë e dinë, se po prite ISHP-në, je në rrezik për jetën, pasi ISHP-së i duhen 5-10 ditë për testin dhe përgjigjen. Vendimi I qeverisë nuk njeh si të rimbursueshme ilaçet e recetave përpara konfirmimit pozitiv nga ISHP-ja”, shkruan ndër të tjera Bardhi, sekretar i Përgjithshëm i PD.
Sipas tij, skema e rimbursimit është e paprecedentë. “Udhëzimi emërton jo vetëm ilaçet dhe vitaminat e rimbursueshme, por përcakton edhe se prodhimi i cilës kompani farmaceutike do të rimbursohet. Udhëzimi detyron pacientin të blejë vetëm tek 5 kompani ilaçet e rimbursueshme, duke shkelur rëndë ligjin dhe duke provuar se halli i vetëm i kësaj qeverie është vjedhja edhe në kohë pandemie, janë klientët e saj, jo shëndeti i njerëzve. Nëse një i sëmurë me COVID 19 merr, psh. një vitaminë C apo D që nuk është prodhuar nga këto 5 kompani, qeveria nuk u rimburson asnjë ilaç, asnjë qindarkë. Kujdesi për klinetët edhe në këtë kohë të vështirë pandemie, të mbushur me humbje jete dhe vështirësi ekonomike është kriminale dhe papërgjegjshmëri”.
Sorry, the comment form is closed at this time.