Nano: Berisha u mor personalisht me burgosjen time
Në vitin 1993, Fatos Nano, në detyrën e kryetarit të opozitës në atë kohë, pra në drejtimin e Partisë Socialiste (ish-Partia e Punës), u arrestua për akuzën e korrupsionit. Ende sot e kësaj dite, Nano fajëson Sali Berishën për burgosjen e tij.
Në një intervistë të rrallë për emisionin “Opinion” në Tv “Klan”, ai ka akuzuar direkt Berishën, duke thënë se “është marrë personalisht me burgosjen e time”.
Fevziu: Raporti juaj a pasur shumë ulje-ngritje. Keni qenë përplasur shumë, por njëkohësisht edhe keni bashkëpunuar. Si do ta përkufizonit sot, jashtë këtyre impresioneve ose ndjesive personale, si politikan Sali Berishën?
Nano: Do përpiqem të jem i drejtë dhe i sinqertë. Sali Berisha hyri në politikë si intelektual. Pra, intelektual humanist, mjek kardiolog. Në momentin që mori drejtimin e PD-së, ai u bë politikan. E them këtë gjë sepse intelektuali dhe politikani me kalimin e kohës i lënë vendin njëri-tjetrit. Janë të rralla rastet, kur politikani mbetet aq intelektual sa duhet. Më pas, ai ka mbikëqyrur që nga ideja e parë që hodhi vetë deri në realizim, deri në atëherë kur ra shteti në ’97, burgosjen dhe mbajtjen time në burg. Është marrë “in persona” (personalisht) me këtë gjë.
Fevziu: Berisha thotë që nuk jam marrë unë me këtë gjë…
Nano: Berisha thotë shumë gjëra për shumë gjëra, përfshirë dhe 21 Janarin. Por unë kam të dhënat e kohës, të dhëna nga njerëzit që kanë qenë dëshmitarë në zyrën e tij, kur ai është marrë ‘in persona’ me mbajtjen time në burg. Me burgosjen e liderit të opozitës, ai u kthye në kafshë politike. Politikanët janë kafshë politike. Kur marrin vendime të tilla nuk mund të mos u thuash kafshë politike. Në 21 Janar, ai mbikëqyri, drejtoi dhe u përpoq të mbulonte vrasjen e 4 njerëzve të pafajshëm, përballë një proteste masive popullore. Janë të njohura nga shumë njerëz faktet për këtë gjë dhe veçanërisht sjellja e Berishës përballë fakteve. Dhe unë jam i detyruar të them që në 21 Janar 2011, Sali Berisha pushoi së qeni politikan dhe mbeti pjesa tjetër… që po e dëshmon tani me qytetarin digjiital.
Sorry, the comment form is closed at this time.