Bushati: Transformimi i Tiranës nuk ka kthim pas

Në një bashkëbisedim me të rinjtë e Tiranës, kandidati për deputet i Partisë Socialiste, Ervin Bushati, tha se i gjithë ky transformim i kryeqytetit ka ardhur pasi në pushtet është Partia Socialiste.

“Mbaj mend që nga viti 2019 që jam në Njësinë 8, në zemrën e Tiranës, çfarë ndryshimesh rrënjësore kanë ndodhur, ndryshime që nuk kanë rënë nga qielli, por kanë ardhur sepse i ka realizuar një forcë e mbarë siç është Partia Socialiste. Ndryshimet kanë qenë të mëdha dhe kanë vendosur një standard i cili nuk mund të kthehet më mbrapsht në Njësinë 8.

Ne kemi parë që Pazari i Ri nuk është më vetëm një ndryshim i mbarë për Tiranën, por është një standard mbi të cilin nuk mund të kthehemi mbrapsht. Bulevardi i Ri nuk është vetëm një zhvillim i ri ekonomik e social, por është një standard që nuk mund të kthehet mbrapsht. Lagja e re “5 Maji” ka për të qenë një nga zonat më të lakmuara, më të zhvilluara dhe më të mira me shërbime publike të Tiranës dhe të Shqipërisë. Vendoset një standard kudo ku kemi punuar dhe ku Bashkia e Tiranës ka vënë dorë. Në datë 25 prill duhet t’ju tregojmë qytetarëve që nuk ka më kthim mbrapa, për gjithçka që kemi bërë,” u shpreh Bushati.

Deputeti socialist e vuri theksin te procesi i rindërtimit për të cilin tha se është unik, pasi zgjidh problemin e shtëpisë për 500 mijë qytetarë. “Nga ky tërmet do të ndikohen 500 mijë shqiptarë, pra 1/6-ta e popullatës. Nuk ka ndodhur ndonjëherë në historinë e Shqipërisë. Unë nuk di ndonjë vend tjetër ku 1/6 e popullatës të zhvendoset dhe të ketë shtëpi të reja, shkolla të reja, 160 shkolla të reja, rrugë të reja, pra ky është projekti më i madh i ndërtimit dhe infrastrukturës në historinë e Shqipërisë,” tha Bushati

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.