Bushati merr detyrën e rëndësishme nga Asambleja Parlamentare e OSBE-së

Ish ministri i Jashtëm Ditmir Bushati është caktuar nga presidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së George Tsereteli si Përfaqësuesi Special për Kaukazin e Jugut.

Sipas njoftimit zyrtar të Asamblesë Parlamentare te OSBE, Bushati do të ndjekë situatën e përgjithshme politike në këtë rajon duke kërkuar promovimin e dialogut në të gjitha segmentet e shoqërisë, veçanërisht në nivel parlamentar, për të nxitur pajtimin dhe rehabilitimin në lidhje me konfliktet e zgjatura në rajon.

Gjithashtu ish ministri i Jashtëm Bushati bazuar në parimet dhe vlerat e angazhimeve të OSBE-së dhe të drejtës ndërkombëtare ka si detyrë të marrë në konsideratë mënyrat dhe masat e ndërtimit të besimit dhe krijimin e kushteve të favorshme për identifkimin dhe zbatimin e zgjidhjeve politike.

Si Përfaqësues Special për Kaukazin e Jugut, Bushati do të punojë ngushtë me kryesinë dhe strukturat ekzekutive të OSBE-së, grupin e Misnkut, bashkëkryesimin e saj, si dhe Përfaqësuesin Personal të Kryetarit të Zyrës për Konfliktin e Trajtuar nga Grupi i Minskut si dhe të djekë zhvillimet në Diskutimet Ndërkombëtare të Gjenevës.

Ndërkaq, si Përfaqësues Special në Azinë Qendrore është caktuar Reinhold Lopatka, zv.shef i delegacionit austriak në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së. Ndërsa për Evropën lindore është caktuar Daniela de Ridder nga Gjermania me mandatin për të shërbyer si pika kryesore e kontaktit e AP të OSBE për çështje që lidhen me rajonin.

Të tre mandatet përfundojnë në sesionin vjetor të Asamblesë Parlamentare të OSBE në Bukuresht, në korrik të 2021-shit.

Share With:
Tags
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.