Basha në Lundër, tek familja në nevojë: Qeveria të mendojë për njerëzit

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka vizituar një familje në Lundër, që është në nevojë ekonomike për shkak të të ardhurave minimale.

Basha i ka prezantuar edhe njëherë programin e arsimit të PD-së kryefamiljarit Ramazan Leci, teksa e ka garantuar se qeveria e tij do të mbështesë edhe familjet në nevojë.

Ramazan Leci i ka bërë të ditur se ka 8 vite që “qeveria i ka vendosur këmbën në fyt”, pasi ka paguar çdo taksë dhe nuk merr asnjë rrogë në familje.

Nga ana tjetër, lideri demokrat ka theksuar se më 25 prill fiton Shqipëria dhe se s’ka për të bërë asnjë premtim, pasi tashmë PD ka programin e angazhimit, të hartuar nga ekspertët më të mirë.

“Ne i kemi dhënë vëmendje të veçantë familjes në planin tonë që kemi shpalosur, në programin tonë qeverisës, duke e shoqëruar familjen nga momenti i parë i krijimit deri në momentin kur fëmijët dalin në punë. Ne e kemi vendosur në program që nga momenti që lind deri në 5 vjeç, çdo fëmije muaj për muaj nga 30 mijë lekë të vjetra. Nga momenti që lind fëmija derisa të bëhet 5 vjeç, muaj për muaj nga 30 mijë lekë të vjetra. Futet në shkollë do fillojmë një program, do ta fillojmë me zonat rurale, pastaj do ta shtrijmë në qytet”, tha Basha.

Ai i tregoi familjes Leci dhe nëpërmjet saj gjithë familjeve shqiptare edhe angazhimin për të krijuar kushte për fëmijët që të qëndrojnë në shkollë edhe pas mësimit, duke iu garantuar vend për të bërë detyrat, por edhe një vakt të paguar nga shteti.

“Në zonat rurale do fillojë një program. Mbaroi shkolla në orën 12.00 apo në orën 13.00, do rrijë e hapur shkolla deri në orën 16.00 apo deri në orën 17.00, që fëmija të bëjë detyrat aty, të mësojë kompjuterin, të mësojë ndonjë gjuhë të huaj, të mos rrijë rrugëve dhe do t’i sigurojmë edhe një vakt për të ngrënë. Mund të jenë familje me të ardhura të mira që mund ta sigurojnë vetë, po ka shumë familje që nuk e sigurojnë dot”, garantoi kreu demokrat.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.