Basha me të rinjtë në Kukës: Planin e kemi gati, na duhet ndihma juaj
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, zhvilloi një bashkëbisedim me disa të rinj në qytetin e Kukësit. Gjatë bisedës me kryetarin Basha, të rinjtë, kryesisht gjimnazistë dhe studentë treguan vështirësitë me të cilat përballen në shkollimin e tyre.
Shumica e tyre treguan se situata ekonomike ka qenë pengesa kryesore në këtë sfidë madhore të të rinjve të qarkut më të varfër të Shqipërisë, ku të rinjtë janë detyruar të largohen jashtë vendit.
“Unë dje isha duke parë disa foto dhe ajo që më bëri përshtypje ishte një foto para 7-8 viteve ishim 12 shokë, dhe kemi mbetur vetëm unë dhe një shok tjetër. Domethënë këta 10 kanë marrë rrugët e kurbetit, ilegalisht janë larguar, disa me borxhe disa me rrezikim, por largohen sepse nuk gjetën një vend pune dhe pas mbarimit të studimeve. Unë kam një pyetje që çfarë programi ka Partia Demokratike, opozita domethënë, për kur një njeri do të marrë një biznes se çfarë do t’i suportohet, çfarë partneriteti do t’i ofrohet?”, tha një prej të rinjve.
Pasi dëgjoi të gjitha, Basha tha se emigracioni është një plagë e madhe për gjithë Shqipërinë. Sipas kreut të demokratëve, dy janë prioritetet kryesore që i detyrojnë të rinjtë të largohen, kushtet e papërshtatshme të arsimit, kushtet e papërshtatshme të jetesës.
“Ju thoni çfarë duhet të bëjë qeveria? Të bëjë detyrën e saj që nuk po e bën sot. Do të bëjë politika ekonomike që do të nxisin zhvillimin ekonomik dhe do ta frenojnë atë. Do të krijojë mundësi për konkurrencë të ndershme, dhe jo monopole ku e gjithë Shqipëria është në duart e katër- pesë njerëzve. Do ta konsiderojë arsimin e lartë një prioritet absolut dhe do të bëjë të mundur që universitetet shqiptare të kthehen në promotorë të brezave të mirëshkolluar, promotorë të zhvillimit, të dijes dhe të kulturës. Do të bëjë të mundur, pra, që kur ta shohin hartën e Ballkanit investitorët e huaj, në veçanti europian që tani po ristrukturojnë investimet e tyre edhe per shkak të krizës globale, por s’dua ta kthej në leksion. Të thonë këtu, këtu në Shqipëri do të vijmë. Këtu është klima më e mirë fiskale. Këtu është rinia. Këtu është qeveria që do të na përgjigjet për trajnimin e rinisë, për ato vende puna që duam të hapim. Këta janë populli që mësojnë gjuhët e huaja. Këtu do të shkojmë të investojmë kapitalin tonë. Por që të binden që ta bëjnë këtë, na pret një punë e madhe dhe unë ju them jam i gatshëm bashkë me ekipin tim të kemi planin, të kemi vullnetin, të kemi vendosmërinë për ta bërë atë plan realitet. Por natyrisht më duhet ndihma juaj. Më duhet mua sot, nesër i duhet Shqipërisë ndihma juaj”, tha Basha.
Sorry, the comment form is closed at this time.