Basha takon farmacistët: Treg barnash jo për mafian, por për pacientët

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, programin e saposhpallur për shëndetësinë e ndau me përfaqësues të Urdhrit të Farmacistit dhe me pacientë, gjatë një takimi të zhvilluar në Tiranë.

Basha u sqaroi farmacistëve dhe pacientëve detajet e programit “Shqipëria fiton” dhe u angazhua për të ndryshuar situatën e rëndë të tregut të ilaçeve në Shqipëri dhe trajtimin e pacientëve në këtë drejtim.

Basha u detajoi atyre pikat kryesore të planit.

“Cilësia e barnave ka marrë një goditje të jashtëzakonshme gjatë këtyre viteve. Tregu është hapur për mafien e barnave, e cila sjell barna të pacertifikuara jo në funksion të shëndetit të njerëzve, por në funksion të mbushjes së xhepave të një grushti importuesish.

Angazhimi i parë në këtë fushë është që ne do të bëjmë të gjitha ndryshimet e nevojshme ligjore dhe do të ushtrojmë të gjithë kontrollin e nevojshëm që barnat shqiptare të cilësisë dhe standardeve të vendeve evropiane”, tha Basha.

Në qendër të programit, sipas Bashës, do të jetë pacienti. “E dyta ka të bëjë me pacientin. Sepse i gjithë programi ynë për shëndetësinë ka në qendër pacientin, paraja ndjek pacientin. Kjo do të thotë që rimbursimi i barnave do të bëhet në bazë të diagnozës, në mënyrë që asnjë pacient që ka nevojë për një ilaç të veçantë, të mos mbetet pa e marrë këtë mjekim”, sqaroi Basha pacientët.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.