Bardhi: Nuk mund të rri në Parlament së bashku me Ballën

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka deklaruar se ende nuk ka një vendim nëse kjo parti do të hyjë në Kuvend apo jo.

Por sipas tij, është shumë e vështirë që në një sallë të qëndrojnë së bashku me njerëzit e krimit dhe vjedhjes së votave.

Bardhi shtoi se PD do të ndjekë të gjitha rrugët për të rrëzuar qeverinë e Ramës, pasi “ky është edhe vullneti i qytetarëve shqiptarë”.

“Tashmë PD ka një mision që ia kanë ngarkuar shqiptarët më 25 prill dhe që duhet ta çojmë me çdo mjet dhe formë përpara deri në fund.

Që është vullneti i shqiptarëve për ndryshim, për një jetë më të mirë, për ta bërë Shqipërinë si gjithë Evropa, dhe që do të duhet të realizohet me çdo mjet dhe formë.

Nuk është ky momenti për të shpalosur të gjithë taktikën që do të ketë Partia Demokratike për të bërë të mundur një gjë të tillë, por e sigurt është që të gjithë vullnetin e shumicës së shqiptarëve për të bërë të mundur ndryshimin, do ta çojë deri në fund.

Fundi është një realizim i vullnetit të shqiptarëve, nje qeveri që e zgjedhin shqiptarët, që nuk ndikohet nga paratë e krimit, as nga paratë e ministrave dhe ish-ministrave të Ramës.

Në vitin 2021 shqiptarët do të duhet të shprehnin vullnetin e tyre të lirë dhe të vendosnin ata se kush duhet të ishte qeveria që do t’i drejtonte në katër vitet e ardhshme.

Për fat te keq, ka ndodhur një masakër elektorale dhe kjo është arsyeja pse ne duhet të jemi të vendosur për t’i shkuar deri në fund aspiratës së shqiptarëve për ndryshim.

Aktualisht nuk ka një vendim për këtë çështje, pra për pjesëmarrjen në Kuvend.

Kjo do të jetë një vendimmarrje e institucioneve të partisë dhe e grupit parlamentar. Ata do të vendosin raportin e tyre me Parlamentin në shtator.

E sigurtë është që ato mandate që ka PD janë mandate që përfaqësojnë vullnetin e pastër e të lirë të qytetarëve, ndërsa mandatet që përfaqëson PS janë në pjesën dërrmuese të tyre ato që përfaqësojnë interesa okulte të botës së krimit, të oligarkëve apo të akteve madhore të korrupsionit të kryera në këto 8 vite në Shqipëri.

Personalisht gjykoj që nuk është e lehtë të bashkëjetosh në një sallë me përfaqësues të krimit të organizuar.

Fjala vjen nuk mund të jem në një sallë me Taulant Ballën, sepse unë përfaqësoj interesin e shqiptarëve, ndërsa Taulant Balla interesin e bandave në famëkeqe që janë në Shqipëri dhe në qytetin e Elbasanit.

Është një vendimarrje që do të duhet të mendohet me shumë kujdes nëse mund të bashkëjetojë në të njëjtën sallë përfaqësues të botës së krimit dhe të interesit të qytetarëve”, tha Bardhi.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.