Balla: Thirrjet e Metës kanë elementë të veprës penale

Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla foli mbrëmjen e së enjtes edhe për një proces penal ndaj Presidentit të Republikës Ilir Meta, i shkarkuar të mërkurën nga Parlamenti.

Balla tha në “Real Story” në ”News24” se janë disa procese që do të ecin në mënyrë të pavarur nga njëri-tjetri.

Sipas Ballës, “ka elementë të veprës penale”, duke iu referuar thirrjeve të kreut të shtetit.

“Në parantezë, kur Parlamenti të shkarkon me 2/3 e votave që është shumica kushtetuese, praktikisht çdo President i shkarkuar me 2/3 duhet të ikë nga detyra, sepse në fund të fundit kjo është shumica.

Kuvendi ka prodhuar dy dokumente, një raport dhe një vendim për shkarkimin. Të dyja këto dokumente i shkojnë Gjykatës Kushtetuese si institucioni i parë në radhë, pra vendimi dhe raporti.

Raporti i shkon institucionit të Prokurorit të Përgjithshëm sepse ligji për komisionet hetimore thotë që kur vihen re elementë të veprës penale raporti i dërgohet Prokurorit të Përgjithshëm.

Juridiksioni i kalon prokurorisë. Prokurori i Përgjithshëm ia kalon prokurorisë në juridiksionin e së cilës është vepra penale dhe personi që hetohet.

Aty ka elementë, sepse në fund të fundit thirrjet e zotit Meta nuk gjenden vetëm në Kushtetutë si të paligjshme, por këto thirrje gjenden edhe në Kodin Penal. Thirrja për dhunë dënohet me gjobë deri në x vite burg. Janë vlerësime që duhet t’i bëjnë institucionet e drejtësisë.

Ne si Kuvend dhe si grup parlamentar i PS besoj që e kemi përfunduar detyrën tonë me atë vendim të djeshëm të Kuvendit. Prej sot e tutje do duhet të flasin institucionet e Drejtësisë”, shpjegoi Balla.

Sipas tij, dy proceset, ai në Gjykatën Kushtetuese dhe në Prokurori, nëse do ketë të tilla, janë të ndara.

Kushtetuesja, sipas z. Balla, do të vlerësojë në rast se vendimi plotëson kriteret dhe, e dyta, në thelbin e çështjes nëse shkeljet janë të rënda ose jo.

“Nuk besoj se ka shumë dilema këtu për të parë. Çfarë duhet të bëjë më shumë se kaq një President republike për të mos qëndruar më në detyrë?! Duket qartë që jemi në një rrugë të shtruar të konfirmimit të shkarkimit të Presidentit, nisur nga opinioni i Venecias”, tha më tej numri 2 i PS.

Ai shtoi se, Gjykata Kushtetuese është një institucion shumë i pavarur dhe duhet të bëjë detyrën e vet.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.