Balla: Të nxitojmë për funksionimin e Kushtetueses. Apel dhe për Presidentin

Kryetari i Grupit Parlamentar Socialist, Taulant Balla, tha se Shqipëria është duke përmbushur kushtin e BE-së për të pasur një Gjykatë Kushtetuese funksionale, duke theksuar se Parlamenti do të votojë në seancën e ardhshme një anëtar të kësaj gjykate. Ai i bëri thirrje Presidentit Meta që të veprojë edhe ai me shpejtësi.
“I gjithë opinioni publik është i qartë edhe nga sqarimet e Presidencës gjermane. Ata kishin të gjithë vullnetin për të miratuar kornizën negociuese. Por në rast se nuk do të kishte ekzistuar vetoja bullgare për çështjet e karakterit historik për Maqedoninë e Veriut, ministrat do të kishin miratuar kornizën negociuese.
Kjo nuk është një çështje për të bërë politikë me njëri-tjetrin. Unë bashkëndaj mendimin me Komisionerin Varheli. Shqipëria është në momentin që përmbyll detyrat e shtëpisë edhe për sa i përket Gjykatës Kushtetuese. Në seancën e ardhshme do të zgjidhet anëtari tjetër i Gjykatës Kushtetuese dhe me të Kuvendi përmbyll detyrën për Gjykatën Kushtetuese. Shpresoj që edhe Presidenti të ecë me ritmin e Kuvendit dhe ne të kemi Gjykatën Kushtetuese brenda këtij viti”, tha Balla në një prononcim për mediat.
Por sipas tij, mosdhënia e një date për Konferencën e Parë Ndërqeveritare me BE-në lidhet dhe me zgjedhjet e brendshme në disa vende europiane.
“BE-ja është një organizëm kolegjial vendesh anëtare dhe viti 2021 është një vit me shumë zgjedhje në vendet e BE-së duke filluar me Holandën dhe me Gjermaninë më pas. Por për sa i përket Presidencës gjermane, dëshira ka qenë e plotë. Ndërkohë, për sa i përket vendimit për të mos ndarë dy vendet, është një vendim që ne e mbështesim. Por duhet të kuptojmë që në Holandë në mars ka zgjedhje. Por siç tha Komisioneri Varhelyi dje, ky bllokim i shkaktuar nga vendet anëtare të BE-së do të tejkalohet dhe në samit mund të ndodhë diçka, shpresat janë dhe nëse nuk ndodh në samit, do të jetë në pranverën e 2021-shit”, tha Balla.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.