Balla opozitës: Bëni koalicione, por duke respektuar normat
Kryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla tha në Kuvend, se opinioni i Komisionit të Venecias për ndryshimet në kodin zgjedhor tregoi se Kuvendi është legjitim dhe vendimet e marra nga ky institucion janë legjitime.
“Sa i përket një çështje të debatuar, që ka të bëjë me legjitimitetin e këtij kuvendi, ky opinioni i Venecias ishte shterues dhe besoj që të gjithë ata që kanë llapur sa kanë pasur mundësi për çështjen e kuvendit të marrin një përgjigje përfundimtare. Venecia vlerëson se Kuvendi mbetet legjitim për aq kohë sa ka kuorumin për vendimmarrje”, u shpreh Balla.
Sa i takon koalicioneve, Balla tha se opozita mund të bëjë koalicion, por duke respektuar tre normat e vendosura.
“Lulzim Basha, Sali Berisha, Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi mund të bëjnë koalicion si ta duan ata, por duke respektuar këtë normë të re, që kur do të bësh një koalicion bota njeh tre parime, duhet të kesh një lider koalicion, një program dhe një ekip. Zgjidheni këtë, dhe bujrum kandidoni në koalicion”, tha Balla.
Sa i përket ligjeve që janë dakordësuar në marrëveshjen e 5 qershorit, Balla u shpreh se mazhoranca do t’i votojë.”Vota jonë për 7 ligjet është pro, që PD-së dhe LSI-së t’i heqim çdo alibi të mundshme për pjesëmarrjen në zgjedhje. Zgjedhjet e 25 prillit janë shumë të rëndësishme që do të konfirmojmë rrugën evropiane të Shqipërisë, me këtë mazhorancë që ka sot”, përfundoi, Kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla.
Sorry, the comment form is closed at this time.