Balla: Meta e ka humbur të drejtën për të qenë President, sfidoj këdo që…

Grupi i Partisë Socialiste do të votojë pro raportit dhe shkarkimit të kreut të shtetit Ilir Meta.

Ky është qëndrimi që deklaroi kreu i grupit, Taulant Balla.

Gjatë fjalës së tij ai tha se presidenti bëri karshillëk Kuvendit duke ftuar Ansamblin e Dibrës në Presidencë e me ironi tha se ishte si xhaja tek filmi “Koncert në vitin ’36”.

“Jam krenar që në fund të këtyre katër viteve asnjëherë grupi parlamentar i PS nuk ka çeduar në aspektin e korrektësisë së një vendimmarrje që ne kemi marrë sot në mbledhjen e grupit tonë parlamentar dhe natyrshëm që grupi parlamentar i PS do të votojë pro raportit të komisionit hetimor dhe pro shkarkimit të Presidentit të Republikës, për të cilin i bashkohem asaj që tha kolegu im Majko e për shkak të viteve të gjata të punës së përbashkët se edhe unë jam i keqardhur që Ilir Meta nuk u soll dot si President republike, edhe pse unë jam një prej atyre deputetëve si shumë kolegë të tjerë këtu që më 28 prill të vitit 2017 kemi mbështetur zgjedhjen e Ilir Metës dhe ka marrë 87 vota dhe dy vota kundër dhe u zgjodh President i Republikës, duke plotësuar kuorumin e nevojshëm.

Ilir Meta nuk përfaqëson më uniteti e popullit, por prej 25 prillit Ilir Meta nuk përfaqëson më as unitetin e opozitës. Luli thotë më mirë Meta të rrijë në Presidencë se t’i shkojë në PD.
Meqenëse Presidenti kishte ftuar sot Ansamblin e Dibrës për t’i bërë karshillik Kuvendit të Shqipërisë si xhaja në “Koncert në vitin ’36” duhet thënë që shpresoj që ansambli mos t’i ketë kënduar Presidentit këngën e Hajredin Pashës.

PD dhe lidershipi i saj nuk ditën të mbajnë një qëndrim që i bën nder Shqipërisë. Ilir Meta e ka humbur të drejtën për të qenë sot e tutje President i Republikës”, tha Balla.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.