Altin Dumani në krye të SPAK/ BIRN: U zgjodh nën monitorimin nga afër të ndërkombëtarëve. Pse mungoi anëtarja e 11-të e KLP

Pas një mbledhjeje prej gjashtë orësh Këshilli i Lartë i Prokurorisë, KLP zgjodhi dje prokurorin Altin Dumani si drejtues të ri të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK.

Votimi u krye pasi tre prokurorët kandidatë, Adnand Xholi, Altin Dumani dhe Edvin Kondili paraqitën platformat e tyre për mënyrën se si do të drejtonin SPAK, si dhe u intervistuan prej anëtarëve të këshillit.

Dumani u emërua si drejtues i SPAK për tre vitet e ardhshme me pesë vota të 10 anëtarëve të Këshillit të pranishëm.

Ambasadorja amerikane Yuri Kim deklaroi të mërkurën më 14 dhjetor se ajo po e monitoronte nga afër procesin e përzgjedhjes së drejtuesit të ardhshëm të SPAK, me qëllim që të sigurohet se “reforma në drejtësi të ecë përpara”.

Të premten para se Këshilli i Lartë i Prokurorisë të votonte ambasadorja e SHBA u paraqit vetë në sallën ku bëhej mbledhja.

Gjatë një prej pushimeve të mbledhjes plenare, ambasadorja Yuri Kim u shpreh para medieve se, për shkak të teorive konspirative që qarkullonin, donte të shpjegonte arsyen e mbërritjes aty. “Nuk jam këtu për t’i thënë askujt se për kë duhet të votojë ose për kë nuk duhet të votojë. Nuk ka asnjë mesazh të fshehur”, tha ajo.

Gara pas kësaj ishte e ngushtë. Dumani u votua nga anëtarë prokurorë Elojda Goxhi, Bujar Sheshi, Ledina Rizo e Zeqir Hoda dhe pedagogia Arta Mandro. Prokurori Edvin Kondili u rendit i dyti me votat e anëtarëve jo prokurorë, Nurihan Seiti, Mirela Bogdani, Alfred Balla dhe Tartar Bazaj – ndërsa Adnand Xholi arriti të sigurojë vetëm votën e Sokol Stojanit. Anëtarja prokurore Esmeralda Cami nuk ishte e pranishme në mbledhje.

KLP njoftoi se prokurori Altin Dumani do të prezantohet në rolin e drejtuesit në SPAK më datë 19 dhjetor, në orën 09:00.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.