Aleatët i kërkojnë Bashës: Të përcaktohet programi qeverisës dhe skema e funksionimit të koalicionit
Krerët e partive aleate të Lulzim Bashës, kanë kërkuar nga ky i fundit që të përcaktojë skemëm e funksionimit të koalicionit opozitar në zgjedhjet e ardhshme
Kreu i PR-së, Fatmir Mediu, e konsideroi të panevojshme pritjen e përgjigjes së Venecias dhe sugjeron që opozita e bashkuar të shkojë te qytetarët me një alternativë, jo vetëm skemën se si do të përballen me maxhorancën, por edhe programin e saj politik.
“Pritja e Komisionit Venecias ka qenë e pavlerë dhe çdo humbje kohe është në dëm të Shqipërisë dhe opozitës. Opozita duhet të bëjë sa me shpejt të qartë: Programin e saj qeverisës si një kontratë me shqiptarët. Së dyti, trupën e saj qeverisëse që tejkalon lidershipin e opozitës, por bashkon dhe përfshinë shqiptarët më të kualifikuar kudo që janë. Personalisht nuk kam besuar se Komisioni i Venecias do ndikonte apo ndryshonte sjelljen apo vendimet e Ramës. Pushteti me çdo kusht dhe çdo mjet është qëllimi i tij. Rama kundërshtoi SHBA-në, BE-në dhe Britaninë, refuzoi rekomandimet e Bundestagut. Do ishte naive të pritej më shumë nga Venecia të paktën siç e lexoj unë”, tha Mediu, në një prononcim për Panorama
Edhe kryetari i PAA-së, Agron Duka, kërkon që kampi opozitar të procedojë më shpejtë në lidhje me përcaktimin e detajeve teknike se si do të dalin në zgjedhje, pasi sipas tij opozita nuk ka luksin të humbasë kohë. “Sikurse e kemi pohuar shpesh herë, ne kemi qenë në konsultime të vazhdueshme për sa i përket mënyrës së hyrjes në zgjedhje.
Sigurisht, ditët në vijim do të kemi takime koordinuese për të përcaktuar në mënyrën përfundimtare sesi do garojmë. Koha nuk është e shumtë, megjithatë kemi të gjithë hapësirën e duhur për t’i dhënë një zgjidhje të mirë çështjes, duke ofruar alternativat më të mira për të maksimizuar votën opozitare”, tha Duka.
Ndryshe nga dy të parët, të cilët shprehen se opozita nuk mund të pres më tepër për të përcaktuar strategjinë, kreu i PDK-së, Nard Ndoka, thotë se duhet të presin edhe raportin përfundimtar të Venecias edhe pse shprehet se nuk ka besim se Kryeministri Rama mund të bëjë ndryshime të tjera.
“Ne i kemi të qarta skemat dhe variantet e mundshme. Presim dhe respektojmë përgjigjen përfundimtare të Venecias, reflektimin nga maxhoranca e Rama. Të gjitha gjasat janë për dy koalicione të Opozitës, epërsia jonë është taktike, politike e morale përballë Edi Ramës, të vetmuar dhe të dërrmuar nga keqqeverisja dhe papërgjegjshmëria e tij. Opozita e bashkuar do të organizohet në një front politik, programor dhe si alternativë politike, por taktikisht në dy koalicione, që do të jenë unikë në përfaqësim”, tha Ndoka.
Sorry, the comment form is closed at this time.