Ademi i kthehet Ramës: Shkodra s’ka pranuar as në komunizëm arrogancën e pushtetit

Kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi, ka reaguar pas sulmeve të ashpra të kryeministrit Edi Rama, të bëra këtë pasdite në një takim elektoral nga qyteti verior.

Rama e cilësoi Ademin si “shembullin drithërues të injorancës, që nuk e prish terezinë për punët e qytetarëve, ndërsa kryebashkiakja thekson se ai e ka të qartë që më 25 prill do të largohet me votën masive të Shkodrës dhe gjithë Shqipërisë.

“Edi Rama bredh nëpër Shqipëri me të vetmen alternativë që i ka mbetur: Sulmet ndaj opozitës. Pas 8 vjet dështimesh në çdo fushe, pas 8 vitesh ku të vetmit që fituan ishin oligarkët e tij, pa asnjë bilanc konkret dhe asnjë arritje Edi Rama, i lodhur dhe i pashpresë mundohet të hedhë baltë mbi PD, drejtuesit dhe anëtarët e simpatizantët e saj si e vetmja menyrë komunikimi që i ka mbetur për të folur me shqiptarët.

Sot nga Shkodra ai më sulmoi me gjuhën dhe fjalorin e vetëm që ai njeh, atë te fyerjes dhe sharjes. Shkodra e qytetarisë dhe e kulturës nuk e ka pranuar as në kohët e egra të komunizmit arrogancen e pushtetit. Aq me pak mund ta pranojë sot. Duke sulmuar Shkodrën, qytetarët e saj dhe mua si kryetare e bashkisë, Edi Rama nuk bën gje tjetër vetëm se dëshmon frikën dhe dobësinë e dikujt që po jeton ditët e fundit të pushtetit. Njeriu që s’ka mbajtur asnjë premtim dhe që e ngeci Shqiperinë për 8 vjet, sot sillet rrugëve të vendit me arrogancë, por lodhet më kot.

Ai e ka të qartë se në 25 prill do të largohet me votën masive të Shkodres dhe gjithë Shqiperisë. Sepse ndryshimi po vjen dhe shqiptarët mezi po e presin. Në 25 prill Rama dhe arroganca e tij do të largohen dhe Shqipëria qytetare do të fitojë.

Share With:
Tags
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.