Dita nis me diell dhe me temperatura të ulëta, parashikimi i motit këtë të martë

Orët e para të ditës do të sjellin përmirësim të përkohëshëm të kushteve atmosferike në pothuajse gjithë territorin. Sipas Meteoalb, pjesa e dytë e ditës do të jetë me vranësira të shumta, të cilat do të krijojnë mundësi për reshje të pakta në zonat Veriore dhe Juglindore. Pritet që në këto zona të kemi kryesisht reshje të pakta dëbore. Ndërsa në ultësirën perëndimore do të ketë vetëm momente të pakta me pika shiu.
Temperaturat e ajrit do të vijojnë të ulen në mëngjes dhe në mesditë duke luhatur vlerat ditore nga -1°C deri në 13°C. Era do të fryjë mesatare dhe e fortë në det me shpejtësi 45 km/h kryesisht nga drejtimi Veriperëndimor duke krijuar në brigjet detare dallgëzim 3 – 4 ballë.

Kosova
Kosova mbetet me vranësira të shpeshta dhe kthjellime të pakta. Më të dukshme kthjellimet do të jenë në orët e para të ditës, ndërsa pasditja do të theksojë vranësirat. Gjithashtu do të ketë dhe rënie të ndjeshme të temperaturave të ajrit, teksa i gjithë vendi do të jetë me vlera negative në orët e para të mëngjesit dhe gjatë natës.

Maqedonia e Veriut
Republika e Maqedonisë së Veriut të martën do të jetë nën ndikimin e motit të qëndrueshëm, i cili gjatë paradites do të sjelli alternime kthjellimesh dhe vranësirash të shpeshta. Pjesa e dytë e ditës do të shtojë gradualisht vranësirat, të cilat më të dukshme do të jenë në zonat Veriperëndimore.

Rajoni dhe Europa
Pjesa më e madhe Europës Qendrore dhe Britania e Madhe mbeten në mbizotërimin e motit të qëndrueshëm. Ndërsa Skandinavia dhe Lindja e kontinentit do të jenë me vranësira të shumta dhe reshjeve të dëborës. Gjithashtu nën ndikimin e motit të paqëndrueshëm paraqitet edhe Jugu i kontinentit, ku në vendet e Rajonit do të kemi reshje shiu dhe dëbore.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.