Ylli i muzikës latine, në Prishtinë për ‘Sunny Hill Festival’

Ylli latin me famë ndërkombëtare, J Balvin, ka mbërritur në Kosovë.

Këtë e ka bërë të ditur vetë artisti, përmes një postimi në llogarinë e tij në “Instagram”.

Për të njoftuar se tashmë gjendet në festival, ai ka publikuar një fotografi të flamurit të Kosovës, ndërsa sipër vendosi edhe lokacionin.

Ardhja e J Balvin në Prishtinë është në kuadër të “Sunny Hill” dhe ylli nga Kolumbia do të performojë sonte, në natën e dytë të festivalit.

Balvin, emri i vërtetë i të cilit është Jose Alvaro Osorio Balvin, njihet për hitet të shumta, si In Da Getto, Mi Gente, Agua, Rojo dhe “Un Dia”, që e solli në bashkëpunimin me yllin shqiptar, Dua Lipa.

Kujtojmë që mbrëmë (e enjte) në natën e parë të festivalit ishte pikërisht Dua ajo që u ngjit në skenë dhe ndezi publikun me performancën madhështore që dhuroi mesnatën e së enjtes (4 gusht).

Ndërkaq, emra të tjerë të famshëm që do të jenë pjesë e “Sunny Hill Festival” janë edhe Skepta, Mahmood dhe Diplo, teksa festivali pritet të mbyllet të dielën (7 gusht).

“Sunny Hill Festival”, përveçse në Prishtinë, këtë vit për herë të parë do të mbahet edhe në Tiranë më 26, 27 dhe 28 gusht.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.