Aktori i njohur feston ditëlindjen

Artisti i Popullit, Reshat Arbana, feston sot 82-vjetorin e lindjes.

Aktori i madh i kinematografisë shqiptare ka lindur më 15 shtator të vitit 1940, në Tiranë.

Arbana ka interpretuar rreth 35 personazhe në filma dhe teatër.

Roli i parë i Arbanës ishte në 1963. Pasi mbaroi studimet në shkollën e aktrimit “Aleksandër Moisiu”, pranë Teatrit Kombëtar të Shqipërisë, në 1968 Arbana filloi të punonte në Radio Tirana.

Ndërkohë ndër rolet më të spikatura në film: Samiu tek “Fije që priten”- 1976, Prefekti tek “Gjeneral gramafoni”- 1978, Bimbashi tek “Liri a vdekje”- 1979, Isa Boletini tek “Nëntori i dytë”- 1982, Ahmeti tek “Dora e ngrohtë”- 1983, Adnani tek “Hije që mbeten pas”- 1985, Aliu tek “Binarët” 1987, Emili tek “Rikonstruksioni”- 1988, Kuke Memini tek “Balada e Kurbinit”- 1990 etj.

Gjithashtu për rolet e Dajlan Beut tek “Kush vdes në këmbë”- 1984 dhe Kryetarit të Këshillit tek “Kur hapen dyert e jetës”- 1986 ka fituar Medalionin e Festivalit të Filmit më 1985 dhe 1987.

Nga 1977 deri në kohën e daljes në pension, ai punoi si aktor në Teatrin Kombëtar.

Arbana është dalluar për interpretimin e tij mjeshtëror të roleve të tij. Për meritat e tij në aktrim ai ka fituar çmimin Artist i Popullit.

Më 7 tetor 2011 Presidenti i Republikës, Bamir Topi i akordoi zotit Reshat Arbana Urdhrin “Nderi i Kombit” me motivacionin: “Aktorit të shquar të teatrit dhe kinematografisë, i cili me interpretimin mjeshtëror dhe origjinalitetin e tij u bë një artist popullor e shumë i dashur për publikun, rolet e të cilit kanë pasuruar me vlera të paçmueshme kulturën kombëtare.”

Por përtej karrierës së tij në fushën e aktrimit, ai ka qenë dhe do të mbetet zëri më i bukur i dhjetëra poezive, prozave dhe veprave të mëdha.

Sot Reshat Arbana bën 80 vjeç, dhe vepra e tij peshon më shumë se vitet që mban mbi supe, për frymëzimin dhe padiskutim modelin e jashtëzakonshëm që sjell në shoqërinë shqiptare për të gjithë artistët e rinj.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.