“Frika ime më e madhe ishte mami”, Luana Vjollca tregon pse bëri vaksinën

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, në kuadër të fushatës për rritjen e ndërgjegjsimit për kryerjen e vaksinimit antiCOVID, ka publikuar videomesazhin e moderatores së njohur Luana Vjollca.

Duke e konsideruar si armën e vetme për t’iu rikthyer normalitetit, Vjollca thotë se një ndër arsyet që është vaksinuar ishte mbrojtja e nënës.

“Mendoj që për të dalë nga e gjithë situata ku jemi të përfshirë është drita në fund të tunelit, është zgjidhja me e mirë, është një lloj shpëtimi që ndoshta edhe pse të rinjtë  nuk janë të ndërgjegjshëm për veten e tyre, kemi disa njerëz që janë të ndërgjegjshëm dhe duhet t’i mbrojmë, që janë pak më të vjetër në moshë dhe kanë nevojë për gjithë përgjegjshmërinë tonë që ndonjëherë ne na mungon sepse na kap ai vrulli, jemi të fortë, ja dalim.

Domethënë nëse kemi një mësim, është që nuk ka asgjë tjetër rëndësi përveç shëndetit, personal, por edhe të njerëzve të afërt. Të paktën flas nga ndjesia personale në këto dy vite, gjithë frika ime ishte mami.

Një nga arsyet e forta që duhet të bëja vaksinën ishte që pas vaksinimit të saj dhe timin unë mund ta perqafoj më shpesh. Sa kohë që kjo është zgjidhja e vetme që kemi, është zgjidhja e vetme për t’u kthyer drejt normalitetit, duhet ta bëjmë”, është mesazhi i moderatores  Luana Vjollca.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale po vijon një fushatë sensibilizuese për rritjen e sensibilizimit për kryerjen e vaksinës antiCOVID.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.