Covid-19/ Sindikata kërkon vaksinimin e artistëve

Prej 16 muajsh skenat e teatrove dhe Cirku Kombëtar vazhdojnë të jenë të kyçura, për shkak të pandemisë Covid-19. 

Megjithëse numri i të infektuarve ka pësuar rënie të ndjeshme, sërish normaliteti për artistët  dhe publikun duket i largët.

Ndodhur në këto kushte, Presidenti i Sindikatës së Pavarur të Artistëve të Shqipërisë, Reshat Ibrahimi, kërkon në mënyrë emergjente vaksinimin e trupave artistike.

Kreu i Sindikatës thotë se arti edhe në këtë rast është i fundit në listë, ndërkohë që, sipas tij, numri i artistëve në gjithë Shqipërinë është 700.

Ibrahimi thekson se pa vaksinimin masiv rifillimi i aktivitetit në skenë i duket i largët.

Sipas tij, shumë aktivitete artistike private thyejnë edhe rregullat e grumbullimeve masive, ndërsa institucionet shtetërore penalizohen.

Reshat Ibrahimi thotë se në shtator me krijimin e qeverisë së re, sërish do i ripropozojnë Ministrisë së Kulturës, ligjin për artin, statusin e artistit, uljen e moshës së daljes në pension për disa profesione të vështira të artistëve, si dhe rishikimin e pagave te tyre, të cilat nuk kanë ndryshuar prej 6 vitesh.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.