Shkodër/ Ekspeditë arkeologjike shqiptaro-polake

Projekti kërkimor arkeologjik i misionit shqiptaro-polak, i instaluar në Shkodër që në vitin 2011, rinis gërmimet në Bushat pas një ndërprerje 2-vjeçare për shkak të pandemisë Covid-19.

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër bën të ditur se, këtë vit ekspedita është përqendruar në nivelin e mesëm të qytetit për të kuptuar dhe më mirë shtrirjen e tij, zhvillimin urban dhe një datim më të saktë të fazave të vendbanimit, ndërsa sfida për gërmimet do të vazhdojë deri më gjetjen e emrit të këtij qyteti antik.

Nga 2018, ky mision tashmë po kryen kërkime arkeologjike në zonën e Bushatit, ku vit pas viti po del në dritë një qytet antik i panjohur që daton kryesisht në shek.IV-II para erës sonë.

Projekti drejtohet nga Prof. Piotr Dyczek- Arkeolog, Drejtues i Qendrës për Kërkime në Antikitet për Europën Juglindore në Universitetin e Varshavës- Poloni, Ass.Prof. Saimir Shpuza nga Instituti i Arkeologjisë, Tiranë dhe Helidon Sokoli, arkeolog, Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore, Shkodër.

Ky vendbanim antik, që besohet se i përket shekullit të 6 para erës sonë u zbulua në Bushat të Bashkisë së Vaut të Dejës në Qarkun e Shkodrës në vitin 2018. Vendbanimi shtrihet rreth 10 km larg kalasë së Shkodrës dhe 20 km nga Kalaja e Lisusit antik, ç’ka është një prej të dhënave më të rëndësishme në identifikimin e qytetit dhe dokumentimin e vendbanimeve ilire./atsh/

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.