Presidenti Meta i jep titullin e lartë aktores së komedisë “Pallati 176”

Presidenti Ilir Meta ka nderuar sot, me titullin “Mjeshtër i Madh” aktoren e njohur Elida Janushi.

“I lumtur të vlerësoj një artiste shumë të dashur për publikun, aktoren e mirënjohur të skenës dhe filmit shqiptar, Elida Janushi. Falë talentit natyral dhe interpretimit të mrekullueshëm artistik, zërit potent e me shumë ngjyrë, galeria e dhjetëra roleve kryesore e të rëndësishme të interpretuara prej saj është e plotë dhe e larmishme.

Por, një nga figurat më të dashura dhe më popullore, që kanë mbetur të ngulitura në kujtesën e spektatorit shqiptar, është ajo e gruas së Jovan Bregut në komedinë ‘Pallati 176’. Elida Janushi i përket një brezi të shquar artistësh të skenës dhe ekranit, të cilët shënuan një hop cilësor në interpretimin e roleve dhe figurave, në dramën dhe kinematografinë shqiptare.

Me mirënjohje për të gjithë kontributin e saj të vyer për artin dhe kinematografinë shqiptare dhe për realizimin e një sërë rolesh të spikatura, e nderova zonjën Elida Janushi me titullin e lartë ‘Mjeshtër i Madh’”, shkruan Meta.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.